Reklame:

Parku kombëtar Divjakë-Karavasta, pasuri kombëtare me vlera të veçanta

Pasuritë natyrore të Shqipërisë janë vlerësuar e njohur si asete mjaft të rëndësishme jo vetëm nga vendasit por edhe nga ndërkombëtarët. Një ndër to është edhe parku kombëtar Divjakë-Karavasta, një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, e cila bën pjesë në Kategorinë II të zonave të mbrojtura. Parku përbëhet prej ekosistemeve komplekse të tilla si laguna, pylli, toka bujqësore, etj., të cilat janë shumë të pasura në biodiversitet dhe habitate natyrore. Ai ndodhet në pjesën qëndrore dhe bregun perëndimor të Shqipërisë dhe kufizohet në veri nga lumi Shkumbin, kodrat e Divjakës në Lindje, lumi Seman në Jug dhe në Perëndim nga deti Adriatik.

Kjo zonë konsiderohet si një zonë me vlera të veçanta për natyrën dhe biodiversitetin. Mjediset më kryesore të Parkut janë; laguna e Karavastasë, godullat përreth saj, shtretërit e vjetër dhe të rinj të lumenjve Shkumbin dhe Seman, ujëmbledhësit e Tërbufit dhe të Myzeqesë, rezervuarët, tokat bujqësore, pyjet përgjatë brigjeve të lumenjve Shkumbin e Seman, pyjet me pishë mesdhetare, pyjet në kodrat e Divjakës, pemët frutore, ullishtet, vreshtat dhe agrumet. Ky park është një nga vendet e preferuara në bregdetin ranor shqiptar për turizëm detar, ekoturizëm, çlodhje, kërkime e studime. Parku shquhet nga popullata të shumëllojshme floristike e faunistike, endemike, subendemike, të rralla, të kërcënuara e të rrezikuara për zhdukje. Laguna e Karavastasë është pjesë e listës së ligatinave me rëndesi ndërkombëtare si një “Zonë Ramsar” sipas Konventës së Ramsarit që prej vitit 1995. Zona e Parkut është vlerësuar edhe zonë e rrjetit Emerald sipas Konventës së Bernës, “Për konservimin e jetës së egër dhe habitateve natyrore të Europës”.

Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe në Shqipëri me një sipërfaqe prej 4300 ha. Ndër të tjera dhe me rëndësi mjaft të madhe për këtë lagunë, është fakti se në të gjendet pika e vetme e folezimit të Pelikanit kaçurrel (Pelecanus crispus) në Shqipëri.  Gjithashtu në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden 29 lloje zvarranikësh dhe amfibësh, 25 lloje gjitarësh, 252 lloje shpendësh dhe 250 lloje bimësh. Po aq e pasur për këtë zonë është edhe flora e saj. Pylli natyror halor mesdhetar, me pishë të egër e të butë, është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë në gjendje natyrore. Zona e Parkut përshkohet nga duna ranore bregdetare, të cilat përgjithësisht janë të zhveshura nga bimësia.

Ekosistemit ia shton më shumë vlerën dhe prania në të e disa bimëve endemike si Asteri (Aster albanicus), Salepët (Orchis albanica), Hidrokotili i rëndomtë (Hydrocotyle vulgaris), Fieri mashkull (Dryopteris filix-mas) dhe Fieri i Krojeve (Adiantum capilus-veneris).  Fauna e këtij parku kombëtar është po aq e larmishme dhe në të mund të gjesh një komunitet të rëndësishëm të shpendëve ujorë folenizues, kryesisht të rendit të pulorëve, qukapikëve, pëllumbave, harabelëve, grabitqarëve të ditës e të natës. Në ekosistem takohet edhe një entomofaunë e pasur karakteristike si lloje fluturash, pilivesa, mushkonja etj.

Në Park janë të pranishëm edhe një numër i konsiderueshëm zvarranikësh, breshkash toke, uji e të detit. Në zonë takohen kafshë të egra si: dhelpra (Vulpes vulpes), kunadhja (Martes martes), çakalli (Canis aureus), nuselalja (Mustela nivalis), baldosa (Meles meles), lundërza (Lutra lutra) një gjitar globalisht i rrëzikuar etj. Nga zvarranikët më të zakonshëm janë: breshka e zakonshme (Testudo hermanni), breshka e ujit (Emys orbicularis), breshka e detit (Caretta caretta), zhapiku i gjelbërt (Lacerta viridis), gjarpëri i ujit (Natrix tesellata), nepërkat (Vipera sp), etj.  Karavastaja dhe mjediset ujore rreth saj si dhe bregdeti janë habitate shumë të rëndësishme për disa lloje peshqish si ngjala (Anguilla anguilla), koca (Sparus aurata), levreku (Dicentarchus labrax), qefulli (Mugil cephalus), aterinat (Aterina sp), burdullaku etj. Në zonën e parkut mbarështrohet edhe buallica (Bubalus bubalis) e cila është një lloj i mbrojtur në Shqipëri.
Nga Enea Malaj
Specialist i AdZM Fier në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta.