Reklame:

Ndikimi i pyjeve në zbutjen e ndryshimeve klimatike!

Interesimi për pyjet dhe pylltarinë nuk ka qenë kurrë aq i madh sa sot. Pyjet gjithnjë e më shumë njihen si një element thelbësor për njerëzit që varen nga burimet pyjore, si një burim me një gamë të gjerë të prodhimeve, shërbimeve dhe mundësive për gjenerimin e të ardhurave.

Pyjet sigurojnë një mori burimesh në formën e prodhimeve drusore, ushqimit, energjisë, ilaçeve dhe materialeve nga të cilat varen bashkësitë lokale.

Ata vlerësohen gjithashtu për kontributin e tyre në shërbimet në ekosistem për mbrojtjen e tokës dhe ujit, sekuestrimin e karbonit, biodiversitetit dhe shumë shërbime të tjera.

Ndërsa Shqipëria po aspiron të bëhet një vend anëtar i BE-së, përdorimi dhe konservimi i qëndrueshëm i burimeve pyjore dhe kullotave janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Inventari Kombëtar i Pyjeve Shqiptare 2018 (ANFI 2018) është një nga aktivitetet më të rëndësishme në kuadrin e zhvillimit të sektorit të pyjeve të Shqipërisë. ANFI 2018 u krye nga specialistë të AKM (AKP) dhe AKZM nën konsulencën e SLU/SFA me pjesëmarrjen aktive të FSHP (UBT-Tiranë). Objektivi kryesor, qe përcaktimi i ndryshimeve dhe rotacioni i inventarit kombëtar të pyjeve dhe kullotave, për të hartuar dhe zbatuar sistemin e monitorimit, për të mbështetur vazhdimisht vendim-marrjen apo politikë-bërjen, planifikimin strategjik sektorial dhe raportimin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Nga ANFI 2018 rezultoi se 65% e sipërfaqes së vendit është e mbuluar nga pyjet dhe kullotat ose rreth 0.65 ha/capita, një shifër kjo e kënaqshme në sipërfaqe (BE ka një tregues prej 0.36 ha/capita) por jo për vëllimin.

Ajo që është e re për publikun e gjerë është aspekti i inventarit të shërbimeve në ekosistem, prandaj në këtë shkrim do ju njohim me disa rezultate interesante në këtë aspekt dhe konkretisht ato që kanë të bëjnë me rolin e pyjeve në zbutjen e ndryshimeve klimatike globale. Ky tregues përcaktohet nga karboni i sekuestruar/magazinuar në pyll, i cili tregohet në tabelën dhe grafikun e mëposhtëm:

Pyjet shqiptare magazinojnë rreth 100.9 milionë ton karbon, prej të cilës rreth 19% në biomasë dhe 81% në tokë. Kjo sasi është e barabartë me rreth 370 milionë ton CO2.
Kontributi për sistem menaxhimi paraqitet në grafikët e mëposhtëm:

Si konkluzion, mund të themi se pyjet janë sektori me kontribut më të madh në zbutjen e ndryshimeve klimatike, por që ka potenciale edhe më të mëdha nëse ato menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme.

Prof. Dr. Arsen Proko
Departamenti i Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

(ubgreen.al)