Grupimi i organizatave mjedisore dhe botës akademike në Shqipëri, të mbështetur nga organizata të huaja patnere, kundërshton me forcë procesin dhe rezultatet e Rishikimit të Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura Mjedisore në Shqipëri. Shkak për rinisjen e debatit është bërë publikimi i projekt-vendimit të KKT Nr. 10, datë 28 dhjetor 2020, që ka vendosur për përcaktimin e kufijve dhe zonimit të brendshëm të Rrjetit Kombëtar të Zonave të Mbrojtura. Vendimi është marrë pas nismës së shpallur më parë në gusht 2019 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Projekt-vendimi përjashton nga Zonat e Mbrojtura në Divjakë-Karavasta, Butrint, Vjosë-Nartë, Bunë-Velipojë etj sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore me përdorim tradicional si dhe zona urbane. Për më tepër ky project-vendim fshin nga harta rreth 15,000 ha të Zonave të Mbrojtura sikurse Luzni-Bulac, Piskal-Shqerri, Dardhë-Xhurrë, etj. Rasti më flagrant është përjashtimi nga Zona e Mbrojtur i sipërfaqes së aerportit në Akërni (Vlorë) dhe heqja e gjithë sipërfaqes së ullishtave në kodrat e Panajasë. Duke i’u referuar hartës, ky project-vendim bën shoshë Parkun e Dajtit, të Divjakës, Bunë-Velipojën, Tomorrin etj.
“Vendimi fragmenton zonat e mbrojtura duke lënë hapësirat urbane dhe bujqësore tërësisht jashtë kontrollit të Zonave të Mbrojtura dhe këto të fundit në mëshirë të veprimtarive të ardhshme që mund të shkelin funksionin e vetë zonave të mbrojtura. Në historinë e zonave të mbrojtura ky moment do të mbahet mend si sulmi më i rëndë ndaj integritetit dhe funksionalitetit ekologjik të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri.”. thotë Taulant Bino, President i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS).
Procesi i nisur në gusht 2019 dhe udhëhequr nga AKZM është finalizuar në shkurt 2020 dhe është prezantuar në një grup të gjerë institucionesh, OJF-sh, donatorësh etj. si një ndër arritjet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që do të saktësonte dhe identifikonte në mënyre përfundimtare dhe të hartëzuar gjithë rrjetin e Zonave të Mbrojtura. Mes shifrash e nenesh, AKZM u kujdes të theksonte se procesi ka ndërmarrë rreth 44 dëgjesa publike me aktorët e interesuar anekënd vendit.
“Në fakt gjatë procesit mund të jenë zhvilluar takime publike por jo dëgjesa publike, – sqaron Av. Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Respublica. “Ligji e përcakton qartë se çfarë konsiderohet dhe si organizohet një dëgjesë publike, duke nisur që nga fazat e hershme që është njoftimi për dëgjesën e deri te organizimi dhe ndarja e informacionit për opinion. Ne e kemi ndjekur procesin nga afër dhe mund të themi që degjesat nuk janë zhvilluar sipas përcaktimeve që parashikon ligji” përfundon Av. Matlija.
Grupimet e OJF-ve dhe përfaqësues të botës akademike kanë ngritur edhe më herët shqetësimet e tyre mbi transparencën e procesit si edhe metodologjinë e ndjekur duke fshirë nga ZM-të ekzistuese jashtë çdo lloj kërkese ekologjike të funksionit të një zone të mbrojtur. Harta të tilla ‘zonimi’ janë jashtë çdo kriteri të mbrojtjes së natyrës, duke rënë ndesh me shumë standarde ndërkombëtare. Një mënyrë e tillë legjitimon shumë ndërhyrje abuzive të bëra në gjithë këta vite, dhe lë shteg edhe për ndërhyrje të tjera në të ardhmen.
“Ne që në krye të herës e kemi cilësuar këtë process si të domosdoshëm, por mënyra sesi është zhvilluar, ka qenë shumë e ngutshme dhe e pamundur për t’u realizuar në një kohë kaq të shkurtër. E kemi theksuar edhe më pare se shpallja, rishikimi apo heqja nga rrjeti i një zone të caktuar duhet të kalojë përmes një procesi të standardizuar kërkimi shkencor, konsultimi të gjerë me palët e interesit dhe aprovimi ndërinstitucional. Për fat të keq, edhe pse e kemi kërkuar me forcë gjatë 2019-s, kjo nuk ka ndodhur.”- shprehet Prof. Dr. Aleko Miho, Drejtues i Grupit të Botanikës pranë Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Me sa duket AKZM në fazën finale i ka shpërfillur të gjithë argumentat dhe kundërshtinë e shprehura nga OJF-të lidhur me rishikimin e Zonave të Mbrojtura, duke dërguar në KKT studimin mbi të cilin është bazuar edhe projekt-vendimi i datës 28 dhjetor 2020.
“Ne e konsiderojmë të dëmshëm, jo tranasparent dhe të pabazuar në parimet e mbrojtjes së natyrës këtë vendim të KKT, që me shumë gjasa do t’i paraprijë dëmtimit të pjesës më të vlefshme të Rrjetit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri. Për këtë arsye ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e drejtuesit të KKT që ta anulojë këtë vendim” – tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. “Ne si grupim organizatash jemi të vendosur të ndjekim çdo rrugë dhe të përdorim çdo mjet demokratik që të kemi një vendimmarrje që garanton ruajtjen e Zonave të Mbrojtura në terma aftatgjatë” – përfundoi ai.
Kjo është një deklaratë e përbashkët për shtyp nga Profesorë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranë dhe organizatat e mbrojtjes së mjedisit:
Prof. Aleko Miho | Prof. Ferdinand Bego | Prof. As. Mihallaq Qirjo