Reklame:

Ndikimi i ndryshimeve demografike ne trendet e konsumit te ushqimit!

Gjatë dy dekadave të fundit, ka pasur shumë ndryshime në qëndrimet e konsumatorëve ndaj zgjedhjes së ushqimit. Këto ndryshime mund të shihen jo vetëm nga ana e konsumatorit (në lidhje me ushqimin që ata konsumojnë) por edhe nga ana e prodhuesve të ushqimeve (në lidhje me ushqimet që ata prodhojnë). Ushqimet që konsumoheshin 20 vjet më parë tani nuk ekzistojnë ose konsumohen nga më pak konsumatorë.

Këto ndryshime janë rezultat i faktorëve të shumtë, të tillë si: niveli i të ardhurave të konsumatorëve, rritja e disponueshmërisë së produkteve, ndryshime teknologjike, etj. Disa nga ndryshimet e konsumatorit përfshijnë dhe ndryshimet demografike, urbanizimin, stilin e jetës dhe ndryshimi i vlerave. Si ndikojnë ndryshimet demografike trendet e konsumit në tregjet e ushqimit?

Niveli i të ardhurave

Ndryshimet e nivelit të të ardhurave kanë bërë që konsumatorët të kërkojnë produkt me cilësi më të lartë dhe me atribute specifike. Rritja e nivelit të të ardhurave është shoqëruar me ndryshimin e modelit të konsumit drejt konsumit të ushqimit jashtë shtëpisë. Datamonitor (2010) raporton se industria globale e shërbimit të ushqimit pritet të ketë një rritje të fortë në të ardhmen. Deri në vitin 2024 parashikohet të arrijë në 3.4 trilion dollarë (Research and Markets 2021).

Arsyeja kryesore prapa kësaj është tregu në rritje i ushqimit jashtë shtëpisë (Datamonitor, 2010). Një shpjegim tjetër për ndryshimet në zgjedhjen e ushqimit të konsumatorëve ka të bëjë me prodhimin. Mënyra e vetme që kompanitë ushqimore të mbijetojnë në një treg konkurrues është krijimi i një produkti me cilësi më të lartë me përfitime shtesë që mund të tërheqin konsumatorët.

Mosha

Sipas Meulenberg dhe Viaene (2005) popullsia mbi 65 vjeç në BE pritet të rritet në 20% deri në vitin 2024, kjo veçanërisht në vendet e zhvilluara. Cilat janë implikimet e këtij ndryshimi në tregjet e ushqimit?

Ekzistojnë ndryshime të konsiderueshme midis konsumatorëve të moshuar dhe pjesës tjetër të popullsisë për sa i përket aspektit shqisor ndaj ushqimit. Prandaj, kërkohet nga bizneset ushqimore të prodhojnë produkte të synuara për këtë segment me atribute të përmirësuara.

Një çështje tjetër që lidhet me moshën janë sëmundjet e lidhura me shëndetin, si: sëmundjet kardiovaskulare, osteoporoza dhe diabeti (Bleiel, 2010). Konsumatori i këtij segmenti duhet të jetë më i orientuar ndaj shëndetit në zgjedhjen e ushqimit (Herne, 1995). Ky segment ofron mundësi të mëdha për prodhuesit e ushqimit pasi do të ketë një rritje të konsiderueshme në të ardhmen. Sidoqoftë, siç argumenton Bleiel (2010), shënjestrimi i këtij segmenti do të jetë një sfidë e madhe për industrinë ushqimore, pasi njerëzit nuk duan të trajtohen si të moshuar.

Madhësia e familjes dhe niveli arsimor

Gjatë dekadave të fundit ka pasur një rënie në madhësinë e familjes. Sipas Meulenberg dhe Viaene (2005) prirja drejt familjeve më të vogla, me të dy partnerët që punojnë kanë stimuluar kërkesën për ushqime që gatuhen shpejtë dhe është rritur konsumi jashtë shtëpisë.

Sa i përket nivelit arsimor, konsumatorët  janë më të arsimuar se më parë. Si rezultat, konsumatorët janë më të edukuar për të kuptuar informacionin e dhënë nga reklama ose informacionin që përmban etiketa e produktit (Bell, 2007). Sipas Nayga et al. (1998) konsumatorët e arsimuar kanë më shumë gjasa të përdorin informacionin e etiketave të ushqimeve sesa individët pa arsim. Kjo çon në supozimin logjik se ekziston një lidhje midis nivelit arsimor të konsumatorit dhe cilësisë së ushqimit të blerë.

Urbanizimi

Sipas Hines (2008), shkalla e urbanizimit e vendeve të zhvilluara është mbi 75% dhe në vendet në zhvillim procesi i urbanizimit po rritet me shpejtësi. Efekti i procesit të urbanizimit në jetën e konsumatorit është se niveli i aktiviteteve që ata bënin zëvendësohet nga punë me më pak aktivitete fizike. Një efekt tjetër i urbanizimit është zvogëlimi i kohës së lirë, i cili çon konsumatorët drejt ndryshimeve në modelet e tyre të konsumit (Popkin, 1999). Popkin (1999) nënvizon se këto modele konsumi janë të orientuara më shumë drejt ushqimit që gatuhet shpejtë, i cili nga ana tjetër është ushqim shumë i përpunuar dhe shumë i lartë në përmbajtje sheqeri dhe yndyre në krahasim me vaktet tradicionale.

Rezultatet e kësaj lloj diete të kombinuar me nivelin e zvogëluar të aktivitetit fizik çojnë në rritje të niveleve të sëmundjeve si: mbipesha, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, etj. (Kearney, 2010). Pasoja e këtij ndryshimi në tregjet e ushqimit është rritja e tendencës për të ngrënë jashtë shtëpisë dhe për të rritur ndërgjegjësimin për ushqim të shëndetshëm. Sipas Datamonitor (2010) shpenzimet për ushqim jashtë shtëpisë pritet të rriten me 10% për frymë deri në vitin 2025.

Ndryshimet në stilin e jetës

Ndryshimet në stilin e jetës janë një faktor tjetër që ndikon në zgjedhjen e ushqimit. Stili i jetës përcaktohet si “model në të cilat njerëzit jetojnë dhe shpenzojnë kohë dhe para” (Meulenberg dhe Viaene, 2005). Stilet e jetës lidhen me modelet e konsumit, ndryshimet në stilet e jetës reflektohen në zgjedhjen e ushqimit. Për shembull, në vendet në zhvillim ka një ndryshim në stilin e jetesës për shkak të urbanizimit të shpejtë dhe globalizimit. Si rezultat, konsumatorët po adoptojnë më shumë stilin e jetës së vendeve të zhvilluara të karakterizuara nga orari i zgjatur i punës, madhësia më e vogël e familjes etj.

Përveç urbanizimit dhe globalizimit, ndryshimet në stilin e jetës ndikohen edhe nga liberalizimi i tregtisë. Kjo e fundit mundëson disponueshmëri dhe mundësi për të patur ushqim, megjithëse ushqim veçanërisht që janë të pasura me kalori (Thow dhe Hawkes, 2009). Kearney (2010), argumenton se dieta tradicionale me perime dhe drithëra po zëvendësohet nga vaktet me shumë yndyrë dhe sheqer. Rezultati i kësaj zhvendosjeje është rritja e shpejtë e sëmundjeve si mbipesha, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti (Popkin, 1999). Bleile (2010) thekson se mbipesha dhe obeziteti janë shqetësimet më të mëdha shëndetësore të shoqërisë së sotme, me më shumë se 1 miliard njerëz të shëndoshë në botë.

Për të kuptuar nevojat komplekse të konsumatorëve të sotëm dhe për të qenë konkurues në treg, orientimi i ndërmarrjeve ushqimore drejt ndryshimeve demografike duhet të jetë në fokusin e strategjive të tyre.

 

Dr. Gentjan Mehmeti
Departamenti Drejtim Agrobiznesi, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Marrë nga artikulli “Future Food Trends
Botuar në revistën “Annals. Food Science and Technology
http://www.afst.valahia.ro/images/documente/2014/issue2/full/section5/s05_w03_full.pdf