Reklame:

Studimi: Organizmat jetik te tokes po demtohen nga pesticidet!

Sipas një studimi te zhvilluar kohet e fundit, organizmat jetik të tokës po dëmtohen nga pesticidet. Këto krijesa të vogla ashtu si bletet janë “heronjtë ”që i mbajnë tokat të shëndetshme dhe e mbështesin jetën në tokë

Sipas rishikimit të parë gjithëpërfshirës të kësaj çështje, pesticidet po shkaktojnë dëme të mëdha në krijesat e vogla të cilat i mbajnë tokat të shëndetshme dhe që mbështesin tërë jetën në tokë.

Studiuesit zbuluan se ndikimet e matura të kimikateve të fermave në krimbat e tokës, brumbujt dhe organizma te tjerë ishin jashtëzakonisht negative. Shkencëtarët e tjerë thanë se gjetjet ishin alarmante, duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre “heronjve”.

Analizat paralajmëruan  se organizmat e tokës rrallë merren parasysh kur vlerësohet ndikimi mjedisor i pesticideve. Për shembull, SHBA, testojnë vetëm kimikate në bletët e mjaltit, të cilat me shumë gjasa nuk kanë pothuajse kurrë kontakt me tokën, një qasje e përshkruar si “e çmendur”.

Një raport i Kombeve të Bashkuara botuar në muajin Dhjetor zbuloi se e ardhmja duket e “zymtë” për tokat nëse nuk veprojm urgjent për të ndaluar degradimin, duke qenë se duhen mijëra vjet që të formohen toka të reja. Tokat mendohet se përmbajnë gati një të katërtën e të gjithë biodiversitetit të planetit.

Nathan Donley, në Qendrën për Diversitetin Biologjik në SHBA dhe një autor i rishikimit të ri, tha: “Niveli i dëmit të cilin po e shohim është shumë më i madh nga sa e mendoja se do të ishte.Tokat janë tepër të rëndësishme. Por, si pesticidet mund të dëmtojnë jovertebrorët e tokës merret shumë më pak në konsideratë sesa polenizuesit, gjitarët dhe zogjtë – kjo është shumë e rëndësishme që të ndryshojnë. ”

Ndërsa gërmojnë dhe ushqehen nën tokë, ato shpërbëjnë lëndën organike, e cila më pas kalohet përgjatë rripit transportues në organizma më të vegjël. Vrimat e krimbave krijojnë struktura thelbësore poroze për të kaluar uji dhe ajri. Krimbat e tokës që gërmojnë thellë – të njohur si inxhinierë të ekosistemit – mund të gërmojnë tunele deri në dy metra të thella dhe të rrisin në mënyrë dramatike pjellorinë e tokës. Në Arktik krimbat e tokës pushtuese në të vërtetë po e bëjnë tokën shumë pjellore .

”Prof Dave Goulson, në Universitetin e Sussex, Mbretëria e Bashkuar, i cili nuk është pjesë e ekipit studimor, thot: “Gjetjet rreth efekteve të dëmshme në organizmat e tokës nga shumica e pesticideve të testuara janë alarmante, duke pasur parasysh rëndësinë jetësore të këtyre ‘heronjve’në mbajtjen e tokës të shëndetshme.

Analiza, e botuar në revistën Frontiers in Environment Science, rishqyrtoi sistematikisht gati 400 studime për efektet e pesticideve në jovertebrorët të pa-targetuar që jetojnë të paktën një pjesë të jetës së tyre në tokë. Kjo analizë mbuloi më shumë se 275 specie dhe 284 pesticide, por përjashtoi çdo kimikat të ndaluar aktualisht në SH.B.A.

Studimet ofruan më shumë se 2.800 “parametra të testuar”, ku një pesticid specifik ishte testuar në një organizëm specifik për një tipar të veçantë, të tilla si vdekshmëria,  sjellja, riprodhimi dhe ndryshimet biokimike dhe morfologjike.

Shkencëtarët zbuluan se 71% e parametrave të testuar treguan efekte negative nga ekspozimi i pesticideve, ndërsa 28% nuk treguan efekte domethënse dhe 1% treguan efekte pozitive. Për shembull, 84% e parametrave të testuar në krimbat e tokës u ndikuan negativisht nga klasat më të zakonshme të insekticideve. Disa herbicide dhe fungicide dëmtuan gjithashtu krimbat e tokës.

“Nuk janë vetëm një ose dy pesticide që po shkaktojnë dëm, rezultatet janë me të vërtetë shumë të qëndrueshme në të gjithë klasën e helmeve kimike”. Një rishikim i vitit 2012 tregoi se pesticidet gjithashtu mund të dëmtojnë jetën e mikroorganizmave në tokë- thot Donley.

Studimet e rishikimit mund të ndikohen nga e ashtuquajtura paragjykim i botimit, nëse studiuesit kanë tentuar të botojnë vetëm ato eksperimente që tregojnë një rezultat të habitshëm. Por Matt Shardlow, në bamirësinë Buglife në Mbretërinë e Bashkuar, thot: “Përgjigja është e qartë këtu – shpërndarja e rezultateve në studimet e botuara peshohet masivisht nga ana negative”.

Niveli i lartë i efekteve negative në riprodhim është një nga rezultatet më shqetësuese që ata nxjerrin në pah,” thot ai. “Po ashtu, duket se fungicidet janë pothuajse aq të këqija sa insekticidet për gjallesat që jetojnë në tokë. Kjo nuk është për t’u habitur pasi krimbat e tokës, morrat e drurit, milipedat dhe bishtat e pranverës (springtails) ushqehen kryesisht me kërpudha në lëndë bimore të kalbura. “

“Ne të gjithë duam toka pjellore bujqësore, por kjo tregon se pesticidet që po përdorim po sulmojnë pjellorinë e gjallesave që jetojnë në tokë,” thot Shardlow. “Nëse duam t’i mbrojmë tokat e shëndetshme, duhet t’i marrim parasysh organizmat e tokës kur të marrim vendimin nëse një pesticid është i sigurt për t’u përdorur apo jo.”

Organizmat e vetëm në të cilët testohen pesticidet në SHBA janë bletët e mjaltit, “është absurde të kesh një specie të vetme që ndoshta nuk është kurrë në kontakt me tokën gjatë gjithë jetës së saj, si një përfaqësues për çdo jovertebror tokësor. Ju gjithashtu mund të përdorni një peshk “- thot Donley. Rregullimi i pesticideve është përgjithësisht edhe më pak i rreptë në vendet të cilat janë më pak të zhvilluara, pavarësisht se bujqësia është një ndër sektorët më të rëndësishem për ekonominë e tyre.

Rregulloret e pesticideve të Bashkimit Evropian përfshijnë teste mbi një specie të marimangave, bishtave të pranveres (springtail) dhe krimbave të tokës dhe mbi aktivitetin e mikroorganizmave. Testet e mëtejshme në një morrë të durit dhe në kërpudhë (simbioze) janë gjithashtu duke u marrë në konsideratë. “Kjo është mirë, por unë do të dëshiroja të shihja më shumë”, thot Donley.

CropLife America, e cila përfaqëson kompanitë e pesticideve, nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar rreth kësaj çështje.

https://www.theguardian.com/environment/2021/may/04/vital-soil-organisms-being-harmed-by-pesticides-study-shows?fbclid=IwAR1GoH0qZCFlWAOg9rJgzq2kigh7_sq0xkrWYfpERB50mbrZnu3SQD-As7U