Reklame:

Prodhimi i grurit/ Ulen parashikimet, Ndikon thatesirsa dhe i nxehte ne Rusi, Kanada dhe SHBA

Këshilli Ndërkombëtar i Grurit uli parashikimin për të korrat e grurit në botë gjatë sezonit 2021/22, si një reflektim ndaj rënies së prodhimit në Rusi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përditësimin mujor, organi ndërqeveritar shkurtoi parashikimin për prodhimin global të grurit me 6 milionë ton, në totalin e 782 milionë ton.

Prodhimi i grurit në Rusi, që është reduktuar ndjeshëm nga moti i thatë dhe i nxehtë gjatë kësaj vere, parashikohet në 75 milionë ton, nga parashikimi i mëparshëm prej 81 milionë ton. Thatësira gjithashtu ka ulur prodhimin në Amerikën e Veriut dhe Këshilli i Grurit parashikon se të korrat në Kanada do të ulen në 24.5 milionë ton dhe në Shtetet e Bashkuara në 46.2 milionë ton.

Kjo rënie është kompensuar pjesërisht nga parashikimet për rritjen e prodhimit në Ukrainë, në 32 milionë ton dhe në Australi në 30.1 milionë ton. Në anën tjetër, Këshilli Ndërkombëtar i Grurit mbajti të pandryshuar parashikimin për prodhimin global të misrit në 1.2 miliardë ton. Gjithashtu, edhe Komisioni Europian shkurtoi lehtë parashikimet për prodhimin e grurit në 27 vendet anëtare të unionit për sezonin 2021/22, në 127.2 milionë ton nga 127.7 milionë ton që parashikohej muajin e kaluar.

Megjithatë, kjo shifër është më e lartë se sezoni 2020/21, kur prodhimi i grurit arriti në 117.2 milionë ton. Ndërkohë, Komisioni Europian e mbajti të pandryshuar parashikimin për eksportet, gjatë këtij sezoni, në 30 milionë ton nga 27.3 milionë ton që ishin sezonin e kaluar, që u mbyll më 30 qershor.