Reklame:

Paketa fiskale 2022 heq kompensimin 6% te TVSH-se te prodhuesit, ve takse per qumeshtin pluhur; Perpunuesit e qumeshtit: Ndryshimet jane rrenuese, do rrisin çmimet

Në paketën fiskale 2022 priten 3 ndryshime të taksave me efekt në rritjen e kostos për industrinë e përpunimit të qumështit.

Në paketën e re fiskale që iu është dërguar për konsultim grupeve të interesit qeveria parashikon heqjen e TVSH-së të rimbursueshme për blerjet nga 6% që është aktualisht, vendosjen e taksës 100 lekë për kilogram për qumështin pluhur të importit dhe përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

Ndryshimet fiskale janë pritur me shqetësim nga industria e përpunimit të qumështit që prej 3 vitesh vuan shtimin e kostove nga ndryshimet e skemës të rimbursueshme të TVSH-së. Industrialistët pohojnë se nëse ndryshimet do të miratohen do të shkaktojnë shumë dëme për prodhimin e produkteve të bulmetit dhe pritet të ndikojnë te rritja e çmimeve të tyre deri me 30%.

Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”

Në projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar propozohet që norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0 % nga 6% që është aktualisht dhe të zëvendësohet me skema subvencionimi. Prej vitit 2019, TVSH-ja që kompensohet në blerje është 6% nga 20% që ishte para ndryshimit. Me nisjen e zbatimit të skemës të ndryshuar të TVSH-së nga 2019 vështirësitë në aktivitetin e përpunuesve të qumështit janë rritur nga viti në vit. Për shkak të ndryshimeve fiskale të 3 viteve më parë në tregje vihet re rritje e produkteve të importuara, që konkurrojnë nga çmimi produktet vendase. Në kahun tjetër shumë fabrika nuk kanë arritur të mbijetojnë, pasi ndryshimi i TVSH-së ka shtuar informalitetin.

Në relacionin e draftit thuhet se heqja e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë dhe zëvendësimin e saj me subvencionim direkt të sektorit të bujqësisë, procedurë që është më e lehtë për tu monitoruar dhe kontrolluar nga pikëpamja fiskale është rekomanduar Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Me anë të këtij projektligji, propozohet që, norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor të bëhet 0 për qind nga 6 për qind që është aktualisht. Kjo, pasi edhe nga zbatimi në praktikë i deritanishëm, mendohet se nga skema e kompensimit, prodhuesit bujqësorë objekt të kësaj skeme, nuk kanë marrë kompensimin sikundër është parashikuar dhe ka synuar kjo skemë, duke e bërë këtë të fundit jo funksionale”, citohet në relacion.

Një tjetër ndryshim fiskal i cili pritet të shtojë sërish kostot e industrisë është ai në Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ku përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave do të jetë për investimet me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

Reagimi i industrisë

Përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, z. Sajmir Begaj tha për Monitor se heqja e TVSH-së të rimbursueshme prej 6% do të godasë fort industrinë e cila vuan kostot e shtuara nga ndryshimet e skemës në 2018 (zbatimi nisi nga 1 janari 2019), mungesën e qumështit të prodhuar dhe kostot e larta nga çmimi i energjisë. “Ky është një projektligj rrënues që do të përkeqësojë akoma më shumë situatën në tërësi për industrinë e përpunimit të qumështit. Ndryshimet vijnë në një kohë kur në treg ka mungesë nga 20,000 deri 30,000 litra qumësht. Heqja e TVSH-së jo vetëm do të rrisë kostot e prodhimit, por do të ndikojë edhe te çmimi i produkteve të bulmetit. Nëse këto ndryshime miratohen përpunuesit e qumështit do të jenë të detyruar të rrisin çmime jo me 5 apo 10% po deri në 30%”, pohon z. Begaj. Më herët Shoqata e Përpunuesve të Qumështit i kishte propozuar Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë ndryshimin në skemën e TVSH-së si në blerje dhe në shitje në nivelet 6 ose 9%.

Për shfuqizimin e heqjes të TVSH-së në blerjet e makinerive me vlerë nga 50 milionë lekë në 500 milionë lekë, z. Sajmir Begaj thotë se do të rrisë kostot e investimeve. “Fabrikat janë të detyruara të investojnë çdo vit në blerje makinerish. Asnjë nuk investon makineri me vlerë 500 milionë lekë. Heqja e TVSH-së të rimbursueshme për investime në blerje makinerish me vlerë deri në 50 milionë lekë do të rrisë automatikisht 20% koston e kredisë për investimin”, pohon Begaj.

Projektligji “Për taksat kombëtare”

Projektligji “Për taksat kombëtare” vendos taksa qumështin pluhur e importuar në vlerën 100 lekë për kg. Në relacionin e draftit pranohet se prodhimi i qumështit ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit dhe ka rritje te produkteve të importit, kryesisht të qumështit pluhur.

“Prodhimi i qumështit në vitin 2020 ka shënuar një rënie me 5,39 %, në krahasim me vitin 2019. Gjithashtu, rënie ka pësuar dhe sasia e qumështit të grumbulluar. Kështu, në vitin 2020, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 119 mijë ton nga rreth 140 ton që ishte në vitin 2019, duke pësuar një rënie prej rreth 14,80 %, krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë, vihet re një rritje në produktet që importohen për prodhimin e produkteve të bulmetit, ndër të cilët mjaft i rëndësishëm është qumështi pluhur. Kështu, sasia e importuar e këtij produkti për vitin 2020 ka qenë në masën mbi 1.400 ton/vit, sasi kjo rreth 2.5 herë më e lartë krahasuar me atë të vitit 2016 që ka qenë rreth 560 ton/vit. Qumështi pluhur përdoret në agroindustri (shpesh përzihet me qumësht të freskët) për të prodhuar produkte bulmeti, pjesërisht për të përballuar kostot e qumështit të freskët dhe pjesërisht për të mbuluar mungesat/hendekun ndërmjet sezonalitetit të kërkesës nga njëra anë dhe të ofertës së qumështit të freskët (të papërpunuar) në anën tjetër”, thuhet në relacionin e draftit.

Efektet financiare

Nga vendosja e taksës për qumështin pluhur të importit Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet të rrisë arkëtimet 100 milionë lekë/vit. Nga heqja e TVSH-së të rimbursueshme në blerje efekti te të ardhurat parashikohen të jenë 750 milionë lekë/vit më shumë dhe përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive prodhuese me kontrata investuese deri në 500 milionë lëkë, 200 milionë lekë/vit.

Revista Monitor
https://www.monitor.al/paketa-fiskale-2022-heq-kompensimin-6-te-tvsh-se-te-prodhuesit-ve-takse-per-qumeshtin-pluhur-perpunuesit-e-qumeshtit-ndryshimet-jane-rrenuese-do-rrisin-cmimet/