Reklame:

Eksportuesit kërkojnë të zgjerojnë tregjet në Perëndim

Nga Monitor.al

Flet Laurat Mulliqi, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Fruta-Perimeve

 Eksportuesit e produkteve bujqësore po e shohin me interes zgjerimin në tregjet e Perëndimit.

Laurat Mulliqi, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Fruta-Perimeve thotë se po bëhen përpjekje dhe është arritur të depërtohet në tregje të vendeve të BE, por nuk arrijnë të sigurojnë gjithë kërkesën dhe cilësinë. Ai thotë se është për të ardhur keq që ne kemi kërkesë të lartë dhe oferta jonë është e pamjaftueshme, madje në disa raste në cilësi të papranueshme.

Në një intervistë për Monitor ai shpjegon dhe vështirësitë me të cilat po haset i gjithë zinxhiri për shkak të rritjes së kostove.

 Zoti Mulliqi, me çfarë problemesh po përballet sektori i eksportit të fruta-perimeve?

Sektori i eksporteve po përballet në përgjithësi me sfidat që po ndeshen edhe bizneset e tjera.

Në veçanti, ky sektor haset me sfida shtesë që lidhen kryesisht me cilësinë e produkteve të prodhuara nga fermerët shqiptarë, madhësinë e fermës që nuk krijon kushtet për siguri dhe cilësi të produkteve, por edhe me rritjen e kostove në të gjithë zinxhirin e furnizimit deri në mbërritjen e produkteve në tregjet e huaja.

Fermat janë jashtë kontrollit të agjencive shtetërore ligjzbatuese që produktet e prodhuara prej tyre përmbushin standardet e sigurisë ushqimore dhe cilësisë.

Nga ana tjetër, madhësia e vogël e fermave nuk e mundëson që fermerët të planifikojnë e prodhojnë produkte cilësore. Në zonat ku ndodhen fermat ndeshet dhe fenomeni i shpopullimit që e bën të vështirë gjetjen e fuqisë punëtore.

Fermat e vogla nuk janë në gjendje të investojnë edhe për infrastrukturën e duhur për mbajtjen e tyre. Për më shumë, fermerët kanë nevojë të ndërgjegjësohen si në drejtim të rëndësisë që ka për zhvillimin e ekonomisë së vet familjare investimi me burime në fermë, por edhe për sasitë e lejuara dhe llojet e pesticideve që përdorin.

Ne si eksportues dëmtohemi, herë pas here, nga mospranimi në tregjet e huaja të produkteve që ne eksportojmë dhe kjo kosto është e gjitha për t’u përballuar nga ne, ndërsa nuk e gjurmojmë dot se nga cila fermë jemi furnizuar me atë produkt që rezulton jashtë cilësisë.

Një pako produkti mund të përmbajë furnizime nga disa ferma të vogla dhe kjo e bën të pamundur për ne gjurmimin e tyre.

Rritja e ndërgjegjësimit të fermerëve, mbështetje e tyre me paketa lehtësuese financimi dhe sigurimi, por edhe organizimi dhe lidhja e zinxhirit të vlerave mes fermerëve do të përmirësonte situatën aktuale. Sa më të zhvilluara të jenë fermat dhe cilësore produktet e tyre, aq më pak kokëçarje dhe kosto të papritura kanë eksportuesit.

Ne si eksportues kemi bërë përpjekje dhe kemi hyrë në tregje të vendeve të BE, të cilat për fat të keq nuk mund t’i furnizojmë me sasinë dhe cilësinë e kërkuar prej tyre.

Është për të ardhur keq që ne kemi kërkesë të lartë dhe oferta jonë është e pamjaftueshme, madje në disa raste në cilësi të papranueshme. Ne jemi të ndërgjegjshëm që jeni një vend i vogël dhe me mundësi të kufizuara.

Por, edhe brenda këtyre rrethanave nuk janë shfrytëzuar aspak kapacitetet prodhuese, duke marrë në konsideratë klimën shumë të përshtatshme dhe avantazhe të tjera konkurruese për këtë shkak, që në vende të tjera as që imagjinohen.

Nga ana tjetër, produktet që ne eksportojmë janë produkte delikate që prishen shpejt dhe kjo e ekspozon veprimtarinë tonë ndaj kostove shtesë e humbjeve.

Ne si eksportues kemi bërë të gjitha përpjekjet tona që të përmirësojmë pjesën e shërbimit që mbulohet nga ne, duke investuar në infrastrukturë dhe njohuri.

Nuk ka qenë aspak e lehtë edhe për ne që të zgjerohemi në tregje tërheqëse, por nga ana tjetër, çdo përpjekje minohet nëse produkti i furnizuar nga ferma nuk është me cilësi.

Duke kuptuar rëndësinë e bashkimit të forcave dhe njohurive, ne si eksportues jemi organizuar në një shoqatë, me qëllim që të bashkëpunojmë për aspekte me interes të gjerë e të përbashkët. Edhe organizimi i fermerëve, qoftë në formate biznesi, por edhe organizime jofitimprurëse, do të ndihmonte në rritjen e ndërgjegjësimit dhe fuqizimin e fermave.

Kohët e fundit, vështirësive tona, në mënyrë artificiale, u është shtuar një fushatë keqinformuese dhe e dëmshme kundër eksportuesve, që ka tentuar të përdorë fermerët dhe t’i vendosë kundër nesh.

Pasojat e këtij sulmi dashakeqës kanë filluar të rëndojnë situatën ekonomike e sociale të fermerëve, pikësëpari, por edhe tonën që e kemi të lidhur ngushtësisht veprimtarinë tonë me fermerët.

Si ka qenë ecuria e kostove në prodhim dhe si po ndikojnë eksportet?

Ecuria e eksportit të fruta-perimeve ndikohet nga një sërë faktorësh përgjatë zinxhirit të vlerës, nga fermeri deri te konsumatori final jashtë apo brenda vendit. Hallkat kryesore së fundi janë përballuar me një sërë vështirësish prej rreth një viti, ku ndër më të rëndësishmet janë:

– Rritja me mbi 50% e kostove të inputeve (plehrat ushqyese, preparatet për mbrojtjen e bimëve, fidanë, farëra).

-Rritja me mbi 35% e kostove të ndërtimit të serrave (plastmasa, struktura e ndërtimit), çmimeve të makinerive dhe pajisjeve të nevojshme në fermë.

-Rritja e kostove të forcës punëtore me rreth 25% dhe vështirësi në gjetjen e punëtorëve dhe njerëzve të kualifikuar në bujqësi si agronomë dhe specialistë të tjerë të fushës.

-Ulje e interesit të të rinjve për të punuar në bujqësi dhe tendenca në rritje për të migruar nga fshati në qytet apo jashtë vendit.

-Shqipëria është një vend importues i plotë i lëndëve të para në bujqësi, gjë e cila rrit ndjeshëm kostot në bujqësi krahasuar me vende të tjera fqinje si Italia e Greqia, ku shumë prej inputeve prodhohen në vend dhe shkojnë me kosto më të ulët te fermeri.

-Normat e interesit të aplikuara nga kompanitë e mikrofinancës dhe bankat vazhdojnë të jenë të larta dhe me nivel të ulët financimi.

 Çfarë përpjekjesh po bëni për të rritur vlerën e eksporteve shqiptare?

Fermat shqiptare janë ferma me sipërfaqe të vogla (rreth 80% e fermave kanë më pak se 2 hektarë tokë dhe të përbëra në disa blloqe të vogla).

Madhësia e fermave, struktura e tyre, mungesa e pajisjes me makineritë dhe shpesh dhe me njohuritë e nevojshme, është arsyeja që kanë produktivitetin më të ulët në rajon. Produktiviteti ka ndikim të madh në përfitueshmërinë e fermave.

Përpos këtij realiteti, i cili është bërë edhe më i egër për fermat tona, mekanizmat dhe mbështetja me subvencione apo grante direkte tek fermerët është e ulët. Sipas FAO-s, mbështetja direkte e fermerëve nga shteti shqiptar është 18 herë më e ulët se vendet në rajon.

Sfida dhe objekti i shumë eksportuesve në katër vitet e fundit ka qenë që të orientojmë eksportet e fruta-perimeve nga vendet ballkanike drejt tregjeve me vlerë të lartë si Austri, Gjermani, Holandë, Zvicër, Angli, Suedi e më gjerë.

Ky proces dhe kjo sfidë nuk ka qenë e lehtë për shkak të strukturave dhe madhësive të vogla të fermave dhe kostove përkatëse.

Disa prej eksportuesve, falë dhe ndihmës nga donatorë si Ambasada Zvicerane mbi modelet e bashkëpunimit Fermerë – Eksportues kanë bërë të mundur që të certifikohen sa më shumë fermerë me GLobalG.A.P. Certifikimi është një kërkesë e rrjeteve të mëdha të supermarketeve në Europë.

Në këtë drejtim, ne si eksportues kemi investuar pa rënduar fermerin:

-Kostot e certifikimit në grup të fermerëve tanë

-Trajnim dhe këshillime agronomike

-Analiza të tokës, ujit, produkteve

-Kosto të tjera, që lidhen me infrastrukturën e fermave për të plotësuar kërkesat e standardit.

Falë përpjekjeve të mësipërme të eksportuesve është rritur sipërfaqja e prodhimeve të certifikuara nga 40 hektarë në 2018 në rreth 500 hektarë në 2021-2022. Kjo ka dhënë efektin e parë, së bashku me përpjekjet me investime në marketing dhe përmirësimit të cilësisë në bashkëpunim me fermerët tanë.

Jemi krenarë të shohim ndikimin në trendin e vlerës së eksporteve të perimeve. Rritja e vlerës së eksportit (2021 krahasuar me 2019) drejt tregjeve me vlerë të lartë është rreth 56% dhe rritja e eksporteve drejt Ballkanit ka qenë rreth 5%. Kjo është falë investimeve, përpjekjeve të eksportuesve. Ekspansioni është plot rreziqe e dëme të mëdha financiare.

Diskutohet shumë pak për rreziqet e dëmet që pësojnë eksportuesit. Faktorët dhe rreziqet kryesore janë si më poshtë:

-Mungesa e shërbimit të sigurimit të eksportit (Export Credit Insurance). Asnjë subjekt nuk e ofron këtë shërbim, ndërsa në vendet në rajon dhe Europë, shërbimi mbron eksportuesit nga mospagesat nga klientët që importojnë.

Si rrjedhojë, shumë eksportues kanë humbur vlera të mëdha financiare nga klientë që kanë marrë mallin, por nuk kanë paguar. Këto humbje llogariten në 5 vitet e fundit, ndoshta rreth 50 milionë euro. Këto para janë paguar nga xhepi i eksportuesve.

-Mungesa e kreditimit dhe produkteve të bankave për të mbështetur eksportin. Shpesh, kreditimet nga bankat janë me norma të larta dhe shumë burokratike.

-Mungesa e kontrollit rigoroz dhe procedurave të qarta për kontrollin e farmacive bujqësore për cilësinë dhe pesticidet e lejuara nga BE dhe respektimin e normave. Eksportuesit kanë investuar në ekipe e analiza të produkteve, por nuk mjafton dhe shpesh kanë pësuar dëme të mëdha financiare dhe gjoba nga vendet europiane.

-Mungesa e mbështetjes së eksportuesve apo fermerëve me TVSH dhe ndryshimi nga 20% në 6% dhe më pas në zero, ka dhënë efekt negativ në stimulimin e fermerëve dhe eksportuesit.

-Nuk ka asnjë paketë stimuluese për eksportuesit.

Si kanë ndryshuar këtë vit kostot e drejtpërdrejta ndaj bizneseve të eksportit?

Përveç kostove të shtuara për partnerët tanë fermerë në vitet e fundit janë rritur tejmase kostot nga ferma te klienti fundor:

-Rritja e kostove të transportit me rreth 60-80%. Për shembull, transporti me trailer në Suedi është rritur nga 2500 euro në 2021-n në rreth 4500 euro në vitin 2022.

-Rritja e kostove të forcës punëtore me rreth 25% dhe shpeshherë përballemi me vështirësi në gjetjen e punëtorëve.

-Rritja e kostove të paketimit me rreth 50%.

Normat e fitimit llogariten rreth 10%, por shpeshherë, në situata kritike, për hir të ndihmës që duam t’ju japim fermerëve, normat shkojnë afër zeros.

 Sa konkurruese janë prodhimet tona?

Eksportet e fruta-perimeve konkurrojnë me gjigantë si Spanja, Maroku, Italia, Turqia etj…

Nuk është e lehtë konkurrenca, pasi përballemi me konkurrentë nga vende të mëdha, të cilat kanë tregje të konsoliduara dhe shumë përvojë.

Shqipëria dhe eksportuesit e fruta-perimeve tashmë kanë filluar të luajnë në Champion League dhe duhen ndihmuar dhe nxitur dhe jo të minohet imazhi i tyre, në vend dhe më gjerë.

https://www.monitor.al/eksportuesit-kerkojne-te-zgjerojne-tregjet-ne-perendim/?utm_content=buffer0e5d4&utm_medium=social&utm_source=facebook.com&utm_campaign=buffer