Reklame:

Parku fotovoltaik i Karavastasë, BERZH aprovon kredinë për Voltalian

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) aprovoi pak ditë më parë kërkesën e kompanisë Voltalia për një financim 28 milionë euro lidhur me projektin e impiantit fotovotlaik të Karavastasë.

Në faqen e bankës statusi i kërkesës tashmë është “aprovuar” duke hapur kështu më pas rrugën për vijimin e hapave të tjerë deri në disbursimin e kësaj shume. Në disa dokumente të publikuara në shtator të këtij viti BERZH jepte detaje mbi kërkesën e kompanisë e cila është angazhuar në Shqipëri me dy projekte fotovoltaikë atë të Karavastasë dhe Spitallës.

Impianti fotovoltaik i Karavastasë i pari në këto dimensione që doli përmes procedurës së ankandit shpallur nga qeveria shqiptare parahsikohet të ketë një kosto 125 milionë euro. Banka ka qenë e angazhuar më herët në procedurën e ankandeve me qeverinë duke e asistuar për ecurinë e procesit që në fazat fillestare të tij dhe duket se kjo është edhe një nga arsyet pse kompania Voltalia ka parë të arsyeshme kërkesën e financimit pranë këtij insitucioni.

Në përshkrimin e projektit BERZH më herët nënvizoni se kërkesa e kompanisë lidhej drejtpërdrejt me një kredi afatgjatë për financimin e ndërtimit dhe funksionimit të centralit diellor të Karavastasë një impiant me fuqi të instaluar prej 140 MWp që ndodhet në bashkinë e Fierit.

“Projekti është rezultat i një tenderi konkurrues ndërkombëtar të mbështetur nga Banka dhe do të zbatohet nga Karavasta Solar, 100% në pronësi të Voltalia SA, një kompani ndërkombëtare e energjisë së rinovueshme e listuar në Euronext Paris” thuhet në dokument.

Projekti për Karavastanë dhe Spitallën

Kompania Voltalia në korrik të këtij viti mbajti ceremoninë për nisjen e punimeve në parkun fotovoltaik të Karavastasë.

Projekti 140 megavat ju dha Voltalia-s me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më date 21 janar 2020, sipas një procedurave dhe procesit konkurrues të tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH.

Sipas termave të tenderit, Parku i Karavastasë do t’i shesë operatorit publik shqiptar 50% të energjisë elektrike nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do t’i shiten me kontrata afatgjata operatorëve privatë. Impianti pritet të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2023.

Impianti i ri i Energjisë do të mbulojë konsumin vjetor të energjisë elektrike të rreth 220 mijë banorëve, dyfishi i konsumit të qyteteve shqiptare si për shembull Vlora apo Kamza. Në mars të vitit të shkuar Voltalia fitoi një tjetër garë për projektin që do të zbatohet në Spitallë me një çmim 29.89 euro/MWh.

Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 MWp nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë./N.Maho

“Revista Monitor”