Reklame:

50 kamionë me bimë medicinale ndalohen të eksportohen në BE, shkak mungesa e laboratoreve te akredituar!

Mungesa e laboratorëve të akredituar shtetërorë për kryerjen e analizave për një gamë të gjerë të bimëve medicinale të prodhuara në vend me destinacion eksporti ka shtuar vështirësitë për kompanitë shqiptare.

Aktualisht në Shqipëri funksionon vetëm një laborator privat i akredituar për kryerjen e analizave specifike për bimët medicinale që eksportohen jashtë. Pamundësia për kryerjen e analizave në përputhje me kërkesat e shtuara të vendeve të BE-së ka sjellë që shumë kamionë me bimë medicinale të kthehen mbrapsht.

Kryetari i Shoqatës të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka tha për Monitor se për shkak të kësaj mangësie për 2022 janë ndaluar të eksportohen drejt vendeve të BE-së rreth 50 kamionë me bimë medicinale.

Gjoka thotë se kjo problematikë ka shtuar kostot e kompanive eksportuese, prandaj është e domosdoshme që në vend të akreditohen laboratorë shtetërore si pranë universitetit bujqësor apo AKU për kryerjen e këtyre analizave.

“Mungesa e fuqisë punëtore nga emigracioni ka sjellë që shumë bimë medicinale që eksportohen jashtë të përzihen me bimë të egra. Nëse më parë këto bimë pastroheshin me dorë nga punëtorët, për shkak të mungesës së tyre produkti eksportohet i papërpunuar, duke dëmtuar edhe lëndën e parë që eksportohet.

Por për shkak të mungesës së laboratorëve dhe ofrimit të gamës së shërbimeve në përputhje me standardet strikte të BE-së, sidomos Gjermanisë kompanive shqiptare u është rritur kostoja nga kthimi mbrapsht i kamionëve. Në vend nuk ka laboratorë që të kryejnë analizat në përputhje me standardet e reja europiane. Është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë me ngritjen e këtyre laboratorëve pranë institucioneve shtetërore me qëllim reduktimin e kostos së kompanive”, pohon ai.

Kostot për kryerjen e analizave në laboratorët jashtë vendit janë të larta. Sipas të dhënave të shoqatës kostoja vetëm për dërgesën e mostrës varion nga 40 deri 50 euro, ndërsa kryerja e analizës kushton nga 120 deri 500 euro.

Sektori i bimëve medicinale dhe erëzave në Shqipëri ka nevojë ende për rritjen e kapaciteteve përpunuese, pasi gati 25% e tyre eksportohen si produkt final dhe 75% eksportohet si lëndë e parë, për shkak të mungesës së investimeve.

“Nëse investimet për sektorin do të ishin më të larta, do të mundësohej rritja e vlerës së produktit, duke e bërë më konkurrues në tregjet botërore dhe duke i dhënë një vlerë të shtuar sektorit”, thotë Filip Gjoka.

Totali i eksporteve për 2022 sipas Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike është deri në 62 milionë USD, por nëse do të kishte më tepër investime vlera e tyre do të rritej 30 deri 40% më shumë./D.Azo

Marre nga Monitor

50 kamionë me bimë medicinale ndalohen të eksportohen në BE; Gjoka: Të ndërhyhet me ngritjen e laboratorëve të akredituar shtetërorë