Reklame:

Skemat Kombëtare kërkojnë më shumë para – Fondet e akorduara këtë vit, mbulojnë vetëm gjysmën e aplikimeve

Interesi i lartë i fermerëve për të përfituar nga Skemat Kombëtare në bujqësi vë në presion Ministrinë e Financave që të rrisë fondet për mbështetjen e kësaj kategori, me qëllim që të nxisë zhvillimin bujqësor dhe rural në vend.

Referuar raportit të realizimit të buxhetit për 4 muajt e parë të vitit, të hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe dorëzuar Ministrisë së Financave, del në pah se problematikë mbetet shtesa e fondeve për skemat kombëtare, pasi kërkesa është shumë e lartë, si dhe shtesë për shpenzimet korrente për AZHBR-në, për mundësimin e pagesave të detyrueshme.

Sipas të dhënave të analizuara nga Ministria e Bujqësisë, rezulton se fondi duhet të rritet me rreth  2.5 miliardë lekë. Konkretisht në raport bëhet me dije se sa i takon masave mbështetëse për vitin 2023, kanë aplikuar rreth 13,966 aplikantë për skemat kombëtare, me një fond prej 3,7 miliardë lekë. Janë në proces kontrolli me dosje dhe në terren rreth 2,315 aplikime. Sipas ministrisë,  fondi i kërkuar përmes aplikimeve është rreth 3.7 miliardë lekë, nga rreth 2 miliardë të alokuara, pra me një mbulim për vetëm 54% të aplikimeve.

Interesi më i madh vazhdon të jetë tek masa e blegtorisë me rreth 62% të aplikimeve, ndjekur nga mbështetja për bletarinë me rreth 28% të totalit të aplikimeve.  Po ashtu sa i takon skemës së subvencionimit me naftë për mekanizimin në bujqësi, janë 54,691 aplikime në total me një fond të kërkuar prej rreth 2,16 miliardë lekë.

Ndërsa me buxhetin e vënë në dispozicion mbulohet vetëm 61% të kërkesës. Në total për skemat kombëtare 2023 u vendosën në dispozicion rreth 3.3 miliardë lekë.

Elisabeta Dosku/ SCAN