Reklame:

Shkencëtarët në Britani eksperimentojnë me përzierjet organike të plehrave

Për të siguruar ushqim për popullsinë në rritje të botës duhen më shumë plehra kimike, dhe prodhimi i plehrave tradicionale kërkon shumë energji. Me rritjen e çmimeve të energjisë, shkencëtarët po eksperimentojnë me përzierjet e plehrave organike me ato kimike për të ruajtur rendimentin e të korrave, por edhe për të reduktuar emetimin e karbonit.

Në mes të një dite të nxehtë vere, kjo autokombajnë është ende duke punuar në fushë duke korrur elbin për dimër. Kjo kulturë ka nevojë për shumë pleh, dhe metodat tradicionale të bujqësisë mbështeten tek plehrat minerale. Disa vlerësime sugjerojnë se për çdo ton pleh mineral të prodhuar, krijohen katër tonë emetim karboni.

Ky është problem për sektorin e bujqësisë që ka shpresë për të përmbushur zotimet për emetimin zero të karbonit. Në Luton Hoo, në veri të Londrës, ka 1000 hektarë tokë bujqësore të punueshme. Menaxherët e fermës kanë rënë dakord të provojnë një përzierje plehrash organiko-minerale që premton të prodhojë më pak karbon dhe njëkohësisht shton përfitimet për shëndetin e tokës.

Profesor Ruben Sakrabani është ekspert në Universitetin Cranfield. Ai ka eksploruar avantazhet e mundshme të plehrave organiko-minerale dhe po bën një provë në terren.

“Prova që shihni këtu është një punë eksperimentale që po bëjmë për të parë efektshmërinë e këtij plehu të ri. Kultura që po rritim këtu është elbi dimëror. Plehrat janë vërtet të shtrenjta për t’u prodhuar dhe në këtë mënyrë ne po përdorim një pleh tjetër që është më i lirë për t’u prodhuar dhe shumë më miqësor ndaj mjedisit”.

Në krah të njëri tjetrit, të dy plehrat nuk duken shumë të ndryshëm.

“Për të prodhuar një pleh mineral nevojitet një sasi e lartë energjie. Kjo është arsyeja pse me koston e lartë të energjisë në këtë moment edhe plehu mineral ka një çmim të lartë. Ne po përpiqemi të përdorim materiale që janë natyrshëm të pranishme në bujqësi, si plehrat e kafshëve, mbetjet e bimëve, si një nga materialet bazë dhe duke shtuar një sasi më të vogël të këtij plehu mineral për ta bërë atë një përbërje të përzier, që e quajmë pleh organiko-mineral”.

Sigurisht, përdorimi i plehut të kafshëve për plehërimin e fushave nuk është diçka e re dhe është praktikuar nga fermerët për shekuj me radhë.
Por tani, shkencëtarët janë në gjendje të optimizojnë përbërësit dhe të përcaktojnë se sa azot duhet të shtohet në përzierje.

Lëvizja drejt plehrave organo-minerale po inkurajohet nga fermerët që kërkojnë të reduktojnë emetimet e karbonit.

“Ne kemi identifikuar shumë kohë më parë se një nga sfidat tona më të mëdha janë ndryshimet klimatike dhe si mund t‘i zbutim disa nga efektet me të cilat po përballemi. Ne jemi në krye të përpjekjeve. Për shembull, vitin e kaluar kur temperatura ishte 37-38 gradë Celsius këtu në fermë, na duhej të ndalonim së korruri sepse po bëhej shumë nxehtë, makineritë po nxeheshin shumë”, thotë Edward Phillips, drejtor ferme në Luton Hoo.

Shkencëtarët nga Universiteti Cranfield po matin mostrat e tokës nga terreni dhe do të matin nivelet e azotit në laborator.

Një provë si kjo përmban shumë parametra dhe asnjë zonë e fushës nuk është saktësisht e njëjtë me një tjetër.

Kjo do të thotë se është edhe më e rëndësishme të matet shëndeti i tokës në të gjitha fazat e mbjelljes dhe korrjes.

Drejtori i fermës Phillips është i impresionuar me rezultatet e provës së elbit dhe thotë se ata planifikojnë të përdorin një përzierje plehrash organo-minerale në të gjithë fermën në vitet e ardhshme.

Një nga përfitimet e mundshme të plehrave organo-minerale është efekti i tij në çlirimin e ngadaltë të lëndëve ushqyese, i cili mund ta ndihmojë atë të konkurrojë me plehrat minerale për sa i përket rendimenteve të bimëve. Me rritjen e popullsisë globale çdo vit dhe verërat më të nxehta që e bëjnë bujqësinë më të vështirë, shumë po konsiderojnë mënyra më të qëndrueshme për të ushqyer popullsinë e botës. Përdorimi i plehrave organo-minerale mund të jetë një mënyrë për një bujqësi më të qëndrueshme.

Marrë nga VOA