Reklame:

Ulet prodhimi vendas, importet e zarzavateve e kafshëve u rritën me mbi 30% më 2024

Mungesa e prodhimit vendas dhe zhvillimi i turizmit kanë ndikuar në rritjen e shpejtë të importeve, veçanërisht në disa grupe ushqimesh, ku sasitë u rritën me mbi 30% gjatë vitit 2024.

Rritja e importeve ka forcuar konkurrencën ndaj prodhimit vendas dhe ka ulur përfitimet ekonomike që mund të qëndronin në vend nga zhvillimi i turizmit. Sipas të dhënave të INSTAT, importet e kafshëve të gjalla shënuan një rritje prej 35.5% në sasi, duke arritur në 32 mijë tonë nga 22 mijë tonë në 2023.

Rënia e numrit të bagëtive: Si rezultat i plakjes së popullsisë dhe largimit nga zonat rurale, numri i bagëtive në vend është përgjysmuar gjatë dekadës së fundit.

Rritja e konsumit të mishit: Zhvillimi i turizmit ka rritur kërkesën për mish dhe bulmet, që janë bazë e kuzhinës shqiptare. Numri i vizitorëve dhe njësive të agro-turizmit është në rritje, ndërsa prodhimi vendas nuk arrin të përmbushë këtë kërkesë, duke bërë të nevojshme importet.

Edhe importet e zarzavateve u rritën me 29% gjatë vitit 2024, duke arritur në 61 mijë tonë nga 47 mijë tonë në 2023. Edhe pse prodhimi në sera po rritet dhe është kryesisht i destinuar për eksport, shumë fermerë të vegjël janë kthyer në konsumatorë për shkak të falimentimeve në ngastra të vogla. Sektori i turizmit ka rritur ndjeshëm kërkesën për zarzavate, duke nxitur edhe më tej importet.

Në total, importet e ushqimeve u rritën me 15% në 2024. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj paraqet një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, por kjo mundësi nuk po shfrytëzohet mjaftueshëm për të lidhur turizmin me sektorët e tjerë ekonomikë.

Eksperienca e vendeve të tjera mesdhetare tregon se turizmi mund të përfshijë një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë bujqësinë dhe zinxhirët e furnizimit, çka e bën turizmin gjithëpërfshirës dhe përfitimet më të shpërndara. Në Shqipëri, megjithatë, të dhënat tregojnë një prirje të kundërt. Ndërsa turizmi arrin rekorde të reja, bujqësia dhe eksportet po pësojnë rënie.

Në tremujorin e tretë të 2024, bujqësia, që kontribuon me më shumë se 18% në PBB, shënoi rënie prej 2.5%, rënia më e madhe që nga dimri i vitit 2022. Mungesa e lidhjes midis turizmit dhe prodhimit vendas po bën që fitimet nga turizmi të shkojnë jashtë vendit për të mbuluar nevojat e importeve.

Artikujt e lidhur me furnizimin e hoteleve pësuan rritje deri në 50% në sasi, duke përkeqësuar deficitin tregtar dhe duke sfiduar ekonominë vendase. Shqetësimi qëndron te fakti se, në vend që turizmi të fuqizojë sektorët e tjerë, ai po i lë ata të dobësuar dhe më të varur nga importet. Monitor.al