Panairi “Ditët e Bujqësisë” rikthehet në edicionin e tij të katërt më 23-25 Prill në Lushnje., Ky panair, me pjesëmarrjen e mbi 100 kompanive jo vetëm nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga vende si Hollanda, Gjermania, Greqia etj., mirëpret vizitorë të interesuar për t’u njohur me zhvillimet më të fundit në sektor.
Dita e parë e panairit, më 23 Prill, ora 09:00, nisi me përshëndetjet e ambasadorëve të Hollandës dhe Gjermanisë. Këtë vit, panairi gëzon mbështetjen e veçantë të Ambasadës së Vendeve të Ulëta, e cila ka mundësuar pjesëmarrjen e nëntë kompanive nga Hollanda, që vijnë për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi dhe investimi në sektorin bujqësor shqiptar. Po ashtu, mbështetja e organizatave ndërkombëtare si GIZ Albania, Helvetas, UNDP dhe FAO nënvizon rëndësinë që ky event ka në nivel kombëtar dhe rajonal.
Objektivat kryesorë të panairit sipas organizatoreve, janë: nxitja e bashkëpunimeve të reja në bujqësi, rrjetëzimi profesional midis fermerëve, kompanive dhe institucioneve, si dhe informimi mbi temat strategjike për të ardhmen e bujqësisë: teknologjitë e reja, bujqësia e qëndrueshme, certifikimet dhe standardet ndërkombëtare.
Gjithashtu, nëpërmjet forumeve dhe paneleve tematike, do të trajtohen çështje si: sfidat e certifikimit për eksport, roli i teknologjisë në uljen e kostove të prodhimit, ndikimet klimatike, dhe aksesimi i fondeve për zhvillim rural.
Fokus i veçantë i këtij edicioni është fuqizimi i brezit të ri në bujqësi. Përmes shembujve të suksesit, inovacionit dhe qasjes ndaj financimit, “Ditët e Bujqësisë” synojnë të frymëzojnë të rinjtë që ta shohin bujqësinë si një mundësi moderne dhe afatgjatë për zhvillim personal dhe ekonomik, duke i inkurajuar të investojnë energjinë e tyre në vendin e tyre dhe jo jashtë tij.
Nën moton “Kultivo të Ardhmen”, “Ditët e Bujqësisë” vijnë si një organizim me standarde ndërkombëtare, që synon të shtojë vlerë reale për të gjithë pjesëmarrësit – fermerë, kompani, institucione dhe qytetarë.