Reklame:

GIZ, Instalon 150 Panele Fotovoltaike në 4 kopshte dhe 2 shkolla

Instalimi i rreth 150 paneleve fotovoltaike në gjithsej 4 kopshte dhe 2 shkolla në qytetin e Lushnjes do të mundësojë uljen e shpenzimeve që aktualisht shkojnë për energji, reduktimin e CO2 dhe do të krijojë kushte më të mira dhe një ambient më të pastër për rreth 1500 fëmijë dhe nxënës. Instalimi i paneleve diellore do të gjenerojë më shumë se 100 MWh energji të pastër në vit, ndërsa do të reduktohet emetimi i gazrave që shkaktojnë efektin serrë me më shumë se 900 ton CO2.

Projekti u realizua në kuadër të programit BE për Tranzicionin e Energjisë: Marrëveshja e Kryetarëve të Bashkive në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, zbatuar nga GIZ, me fonde nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane.

Përfaqësuesja e Ambasadës Gjermane në Tiranë, Znj. Renate Quelle, shoqëruar nga kr Bashkisë Eriselda Sefa prezantuan projektin duke e lidhur me objektivat e Partneritetit Rajonal për Klimën midis Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor. Kr Bashkisë falënderoi miqtë duke vlerësuar projektin e në vecanti fillimin e një ndryshimi që do të vijojë në gjithë objektet publike e më gjerë.

 Instalimi i paneleve fotovoltaike u krye në:

– Cerdhen Nr.1 me rreth 50 Fëmijë

– Kopshtin Nr. 2 me rreth 178 Fëmijë

– Kopshtin Nr. ¼ me rreth 215 Fëmijë

– Kopshtin  Nr. 3 me rreth 147 Fëmijë

– Shkollën e Mesme „18 Tetori“ me rreth 530 Nxënës

– Shkollën „Kongresi i Lushnjes“ me rreth 360 Nxënës

Rreth 1500 fëmijë dhe nxënës do të përfitojnë kushte më të mira dhe ambient më të pastër

Ky është një nga dhjetë projektet në shkallë të vogël që po zbatohen në të gjithë Ballkanin Perëndimor – dy prej tyre në Shqipëri – në Lushnjë dhe Roskovec. Ato demonstrojnë se si strategjitë lokale për klimën mund të përkthehen në përfitime konkrete në nivel komuniteti.

Rreth Projektit:

BE për Tranzicionin e Energjisë: Marrëveshja e Kryetarëve të Bashkive në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi mbështeti 27 qytete gjithsej për të hartuar Planet e Veprimit për Energjinë e Qëndrueshme dhe Klimën (SECAP), për të siguruar financime dhe për të pilotuar zgjidhje për reduktimin e karbonit. I zbatuar nga GIZ, projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Federale Gjermane, si pjesë e Partneritetit Rajonal për Klimën të Gjermanisë.

Rreth Partneritetit Rajonal për Klimën:

 Partneriteti Rajonal për Klimën u prezantua nga Gjermania dhe gjashtë qeveritë e Ballkanit Perëndimor në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, në tetor 2023, me qëllim përballimin së bashku të ndryshimeve klimatike. Gjermania është zotuar të ofrojë deri në 1 miliard euro për investime afatgjata të gjelbra dhe 500 milionë euro për kredi afatshkurtra për mbështetjen e energjisë, me qëllim mbështetjen e rajonit drejt burimeve të rinovueshme, uljen e emetimeve dhe sigurimin e energjisë së përballueshme. Duke financuar reforma dhe projekte konkrete, partneriteti përshpejton Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe e afron rajonin më pranë standardeve klimatike dhe energjetike të BE-së.

Agronews