Reklame:

Ndryshojne rregullat per agroturizmin, qeveria shton kerkesat per subjektet

Një vit pasi miratoi një vendim të posaçëm për kriteret që duhet të plotësohen nga një subjekt që kërkon të certifikohet në veprimtarinë e agroturizmit, Këshilli i Ministrave ka rishikuar vendimin duke bërë disa ndryshime. Kështu së pari ky vendim ka saktësuar atë se çfarë konsiderohet agroturizëm duke shtuar të paktën tre pika të reja që detajojnë këtë pjesë. “Agroturizmi, si formë e veçantë e turizmit rural, është i orientuar drejt përdorimit të burimeve lokale të turizmit dhe ka si synim nxitjen e modeleve alternative të zhvillimit të produkteve turistike, nxitjen e prodhimit bujqësor/blegtoral, zhvillimin e zonave rurale si dhe krijimin e një tregu të ri për produktet bujqësore/blegtorale. Agroturizmi duhet të ofrojë njëkohësisht zotërimin e një ferme bujqësore/blegtorale, shërbimin e akomodimit, të ushqimit dhe të aktiviteteve rekreative. Veprimtaria pritëse zhvillohet në fermat bujqësore/blegtorale, në të cilat ofrohen aktivitete të lidhura me prodhimin bujqësor/blegtoral, por duke mos cenuar mjedisin. Përfshirja e vizitorëve në aktivitetet e lidhura me fermën duhet të jetë me qëllim argëtues, edukues apo veprimtari të tjera të lidhura me mjedisin përreth” thuhet në pikat e reja.

Po kështu vendimi i ndryshuar i qeverisë ha hequr specifikimin e mëparshëm për 0.5 hektarë sera duke lënë në fuqi vetëm hapësirën 1 hektarë tokë të mbjellë me kultura bujqësore. Ndërkohë në lidhje me shërbimet që duhet të ofroheshin nga subjektet, që zhvillojnë veprimtari pritëse të klasifikuar si “agroturizëm” vendimi i vjetër nënvizonte se atom und të ofronin njërin nga tre shërbimet si akomodim, ushqim dhe pije dhe veprimtari argëtuese e çlodhëse. Vendimi i ri saktëson se një subjekt i certifikuar si agroturizëm duhet t’i ofrojë të treja këto shërbime. Lidhur ma kapacitetin akomodues vendimi i vjetër e kufizonte atë në ofrimin nga 6-30 dhoma por jo më shumë. Me vendimin e ri është hequr fjala “por jo më shumë”.
Ndërkohë vendimi i ri sjell në vëmendje se komisioni që jep certifatën për subjektin e agroturizmit ka të drejtë ta pezullojë apo heqë atë në rast se konstaton shkelje. “Komisioni vlerësues ka të drejtë, bazuar nga verifikimet e ndërmarra nga ana e tij, kryesisht apo në shkeljet e konstatuara nga organet përkatëse, të shqyrtojë dhe të marrë vendim për pezullimin dhe/ose shfuqizimin sipas rastit të “Certifikatës paraprake” si dhe “Certifikatës” sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u ankuar “thuhet në vendim.

Lidhur me lehtësitë që përfitojnë subjektet që operojnë në agroturizëm vendimi sqaron se këto lehtësi përfitohen vetëm kur subjekti ka marrë certifikatën. “Çdo subjekt i certifikuar për veprimtarinë e agroturizmit është i detyruar të përdorë në ambientet e tij, në një vend të dukshëm dhe në emërtimin tregtar shenjën dalluese, e cila miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e agroturizmit përfitojnë lehtësira fiskale sipas legjislacionit në fuqi, vetëm pasi të jenë të pajisur me “Certifikatën paraprake” ose “Certifikatën”.”

Vendimi saktëson se subjektet që aktualisht kanë paraqitur aplikim pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e kësaj dispozite, të plotësojnë dokumentacionin sipas kritereve dhe kushteve të parashikuara në këtë vendim, për marrjen sipas rastit të “Certifikatës paraprake”. (Monitor)