Reklame:

Speci i Dukagjinit

Speci i Dukagjinit

Specia: Capsicum annuum L.

Përhapja: Në zonën e Dukagjinit, ku njihet edhe me  emrat  “Speci Somborka i Kosovës” dhe  “Speci i Kosovës”, nga  edhe ka ardhur. Kultivohet aty për  më  se 60-70  vjet; fara është mbajtur, ruajtur dhe  trashëguar brez  pas brezi. Zë rreth 10-15% të sipërfaqes që mbillet me spec në zonë, duke qenë kështu kultivar autokton i rrallë.

Përshkrimi: Bimë shumë e degëzuar, tip kaçube, me  ndërnyje të shkurtra. Prodhon 20-25 fruta për bimë. Ata janë relativisht të vegjël, formë konike, peshë mesatare 55-70 g. Në pjekjen teknike kanë  ngjyrë të bardhë deri në të verdhë të hapur, kurse në atë biologjike të kuqe të plotë; pak djegës dhe me shije të veçantë.

Kultivimi: Farat mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë në 1-15 maj. Vjelja fillon pas 8-10 javë, në fillim të korrikut dhe vazhdon deri në ngricat e para  të vjeshtës.

Rendimenti: rreth 25-35 kv/dynym.

Veçantitë

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj vrugut (Phytophthora capsici Leon), temperaturave të ulëta  dhe  të larta. Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.

Negative: Nuk ka.

Përdorimi: Për konsum të freskët, gatim dhe përpunim  në  formë  turshie, të mbushur me gjizë, etj, për konsum në  familje dhe  për tregun  lokal.

Risku: Nuk është në rrezik zhdukjeje.