Reklame:

Eksporti i frutave dhe perimeve ne vendet e BE/ Bashkimi i Dhomave te Tregtise publikon udhezuesin

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë ka publikuar “Udhëzuesin për eksportin e frutave dhe perimeve të përpunuara nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”

Udhëzuesi është një dokument i plotë, që përmban informacion mbi dokumentacionin e nevojshëm që ju duhet për të eksportuar, mbi specifika të veçanta, informacion mbi tregun, por edhe lista panairesh apo laboratorësh të akredituar.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të) në Ballkanin Perëndimor ballafaqohen me vështirësi sa i përket qasjes në tregje të reja për eksport. Një parakusht është përshtatja e produktit dhe e standardit të cilësisë për ato tregje të synuara. Përveç kësaj, për eksport të suksesshëm nevojiten edhe informata për tregun dhe kanalet e shpërndarjes.

Ndërmarrjet rajonale ballafaqohen si me pengesa të jashtme edhe me të brendshme. Shpesh, për shkak të kapaciteteve të kufizuara kryesisht financiare dhe të brendshme, NVM-të kanë mungesë të ekspertizës për eksport (madje edhe për informata themelore lidhur me kriteret, procedurat dhe hapat për eksport) dhe varen nga mbështetja e jashtme, siç janë shërbimet konsulente.

Tregjet e eksportit, posaçërisht në vendet evropiane, janë plot me të panjohura për eksportuesit, pasi që ka shumë kërkesa, siç janë standardet (evropiane), certifikimet, kërkesat e cilësisë, paketimi, etj. Probleme shtesë për eksportuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë ndryshimet e vazhdueshme të trendeve.

Rregullat e tregtisë ndërkombëtare, rregulloret e BE-së dhe procedurat e importit, standardet private të cilësisë së industrisë, si dhe performanca shtesë ose shenjat e cilësisë (që nuk janë domosdoshmërisht të kërkuara ligjërisht, por që de facto bëhen kusht i qasjes në treg) mund të jenë një pengesë e vështirë për kompanitë që dëshirojnë të hyjnë në tregjet e BE-së dhe tregjet e tjera ndërkombëtare. Në shumë raste, produktet duhet të testohen dhe të certifikohen për të siguruar pajtueshmërinë me kërkesat e importuesve – për të dëshmuar se kërkesat e BE-së dhe standardet private të cilësisë së industrisë janë duke u përmbushur.

Si pasojë, eksportuesit  nga vendet e Ballkanit Perëndimor jo vetëm që kanë nevojë për teknologjitë dhe njohuritë e duhura të prodhimit, përpunimit, trajtimit, tregtisë, e marketingut por edhe për kornizat e duhura ligjore dhe institucionale dhe për kontroll dhe auditim kompetent” shkruhet në udhëzues. (SCAN)

Ne kete link keni udhezuesin e plote ne pdf.
http://uccial.al/wp-content/uploads/2019/08/udhezuesi-shqip.pdf