Reklame:

Zgjerohen fermat e bleteve, 962 aplikime per subvencione kete vit

Fermat e bletëve po zgjerohen nga viti në vit për shkak se fitimeve të larta që vijnë nga mjalti dhe angazhimit më të ulët në krahasim me punët e tjera në bujqësi.

Sipas të dhënave nga të dhënave nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësorë dhe Rurale  gjatë këtij viti aplikuan dhe u kualifikuan për subvencion rreth 962 bletërritës në të gjithë vendin, teksa vitin e kaluar ishin pak më shumë se 600 aplikime.

Sipas të dhënave shihet se 90 për qind e fermave që kanë aplikuar ka 100-150 koshere në zotërim. Por ndërkohë vlera e subvencionit e ofruar nga skema kombëtare shihet të jetë shumë modeste  maksimumi me 150 mijë lekë për fermë.

Kosto për të hapur një bletari nuk është e lartë. Ekspertët tregojnë se mjalti mund të sigurojë fitime të larta, mjafton të vihet në jetë një plan i mirëmenaxhuar biznesi.

Hendeku i madh mes konsumimit të produkteve të bletëve në Shqipëri dhe sasisë së disponueshme paraqet një mundësi fitimprurëse për sipërmarrësit për t’u shfrytëzuar. Kërkesa është e lartë, shpenzimet e pakta: pak kapital dhe mund të bëhet nga shtëpia, si dhe ka fitim të lartë.

Por, si duket situata në vendin tonë? Shoqata e Bletarëve raporton për një përhapje të madhe të bletërritësve në të gjithë territorin teksa kërkesat janë më të larta se sa prodhimi. Që të rritet prodhimi i mjaltit shqiptar, si dhe të konkurrohen produktet e importit, të cilat nuk kanë të njëjtën cilësi, duhet që shteti të subvencionojë më tepër fermerët e vegjël dhe të ndryshojë skemën e subvencioneve.

Shqipëria nuk mund të eksportojë asnjë produkt me origjinë shtazore në vendet e Bashkimit Europian, përjashtim nuk bën as mjalti. Sipas ekspertëve të kontaktuar, është mësuar se delegacione nga BE kanë ardhur në Shqipëri për të inspektuar dhe kanë gjetur mungesa në standarde. Eugent Skermo, nga “Mjalti Morava”, tregon se më tepër është një çështje që nuk kanë marrë masat për të vijuar ose për të lobuar në këtë drejtim që të certifikohemi. Duhet marrë seriozisht, thotë ai, edhe nga instancat shtetërore, që të kryhet një studim tregu i mirëfilltë në këtë sektor dhe më pas, të nisin negociatat për tregtimin e këtyre produkteve me origjinë shtazorë, si mjalti.