Reklame:

Jo vetem bujqesi, por edhe turizem – potenciali i panjohur i Myzeqese

Shumë udhëtojnë drejt Divjakës për të shijuar bukurinë e bregdetit me pisha apo pamjet e magjishme të Parkut të Kombëtar të Karavastasë. Ama pak e dinë se përgjatë rrugës që të çon në bregdet, pikërisht në kthesën e fundit para se të shkosh drejt Divjakës, ndodhet fshati Babunjë. Mendohet se dikur në këtë fshat ndodhej qyteza e Arnisës, shumë pranë gjurmës së Egnatias, një prej rrugëve më të rëndësishme në lashtësi.

Një skulptor mes fermerësh

Në hyrje të fshatit na pret Adriatik Rrasa, i cili ndryshe nga bashkëfshatarët e tij që merren me bujqësi e blegtori ka vendosur të mbajë familjen duke iu përkushtuar pasionit të tij: skulpturës. Prej 40 vitesh gdhend imazhe, kujtime dhe histori.

I rritur si një fëmijë kurioz pas të atit, nën hapat e të cilit filloi eksperimentet e para, të krijonte forma dhe tu jepte jetë gurëve, Adriatiku ka provuar edhe emigracionin në Greqi dhe Itali, por ka zgjedhur të kthehet në fshatin e tij dhe t’i kushtohet pasionit të tij me të cilin mban familjen prej 5 anëtarësh. Porositë i merr nga dyqane në Lushnje, Fier, por edhe në Tiranë. Pasi ka mbaruar punë porositësit vijnë dhe tërheqin punët e përfunduara.

“Shyqyr që u bë rruga. Më përpara më thonin ‘duam të të sjellim punë por kush vjen deri te ty rrugë pa rrugë’”, thotë duke buzëqeshur.

Fshati Babunjë kufizohet me fshatin Agim dhe Divjakën. Investimet e mërparshme të kryera në këtë zonë, e kishin lënë këtë fshat jashtë vëmendjes. Më herët dy fshatrat lidheshin nëpërmjet një rruge të trajtuar me çakëll, të ngushtë dhe të përshtatshme vetëm për një automjet, që mundësisht duhet të ishte i lartë. Rruga e re ka tashmë dy korsi dhe e gjithë zona e banuar që përshkon fshatin është trajtuar si zonë urbane, me trotuarë, ndriçim dhe hapësira pushimi për automjetet. Dukshëm investimi i ka dhënë gjallëri fshatit. Vetë banorët tregojnë se tani kalojnë më shumë makina, autobusë e furgonë që vijnë kryesisht nga Fieri nëpërmjet Libofshës për të shkuar në Divjakë.

Adriatiku shëtit nëpër të gjithë zonën mes fshatrave Agim dhe Babunjë për të mbledhur lëndën e parë për punimet e tij. Veçanërisht gurët janë shumë të vështirë për t’u transportuar.

“Më përpara kur gjeja ndonjë gur të mirë dhe duhej ta sillja në shtëpi, më kërkonin më shumë para për transportin se më thoshin ‘nuk e fus zetorin aty ku ke ti shtëpinë’. Tani më kërkojnë më pak, sepse nuk është më e prishur rruga,” tregon ai. Jo pak herë ka pasur edhe raste kur për shkak të mungesës së rrugës, gjatë transportimit i ishin dëmtuar edhe punime të destinuara për t’u shitur dhe që për fat të keq i ishin kthyer mbrapsht.

Edhe fermerët e zonës janë shpresëplotë se ndërtimi i rrugës së re do të ulë ndjeshëm kostot e transportit dhe input-eve bujqësore. Siç shprehen edhe vetë tashmë tregu i Divjakës arrihet në më pak se 20 minuta. Më pak se 25 minuta u duhet fermerëve të fshatit Agim.

Ulja e kostove të transportit dhe input-eve do të thotë kosto më të ulëta në prodhim dhe çmim më konkurrues. Dalja më shpejt në treg përkthehet në shitje më të larta dhe mundësi për të investuar në hapësira më të mëdha toke apo serash.

Potenciali i panjohur i Myzeqesë

Rruga Agim – Babunjë 4. 5 km plotëson investimet e segmentuara që ishin bërë deri tani në këtë anë të Myzeqesë duke futur edhe fshatrat Agim dhe Babunjë, deri tani të mënjanuar, në akset që lidhin me Divjakën, tregun apo me aksin kombëtar Lushnje – Fier.

Babunja është kthyer dy vitet e fundit në vëmendjen e arkeologëve, pasi aty mendohet se ka ekzistuar qyteti i Arnisës. Punë minutash dhe arrijmë në zonën ku po gërmohet prej të paktën dy vitesh nga arkeologë e studentë të arkeologjisë shqiptarë dhe gjermanë. Arnisa është një qytezë  ilire. Studimet e para datojnë në vitet ’80-të ku janë zbuluar muret fortifikuese, si dhe banesa tipike Ilire, që besohet se datojnë rreth shekullit të dytë para Krishtit.

Rruga për në fshatin Agim kalon përmes fushave të gjera ku kanë mbetur ende shenjat e të korrave. Pejsazhin e thyen vetëm ndonjë pemishte apo grup serash. Nëse ndjek rrugën mbërrin në Libofshë. Kjo e fundit është e njohur për monumentet e periudhës së Mesjetës dhe jo vetëm. Investimet në infrastrukturë kryejnë lidhjen organike mes njësive administrative të Fierit dhe Lushnjës që janë edhe zemra e Myzeqesë. Është shumë e lehtë tashmë për një vizitor që nga kisha e Shën Gjergjit në Libofshë, të shkojë të vizitojë rrënojat e zbuluara deri tani nga Arnisa dhe më pas pse jo të shijojë bukuritë e parkut të Divjakës mes pishave dhe aromës së kripur të detit.

Deri më sot Myzeqeja është njohur për bujqësinë, por zona nga Libofsha deri në Divjakë ka të gjithë potencialin për të zhvilluar edhe turizmin kulturor dhe atë të natyrës.

https://www.albaniandf.org/2019/08/30/potenciali-i-panjohur-i-myzeqese/