Publikimi nëpër media i lajmit se një sasi e konsiderueshme pesticidi është lejuar të hidhet në treg për t’u shitur si pleh kimik ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Përgjithshme. Shefja e Kabinetit të Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku i është drejtuar me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Tiranës për mënyrën si po hetohet prej saj urdhri i ish Ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi, i cili ka bërë të mundur zhbllokimin e sasisë së pesticidit që fillimisht qe bllokuar nga AKU.
“Nga publikimet e fundit rezulton se Ish Ministri i Bujqësisë ka lëshuar në kundërshtim me ligjin urdhrin për zhbllokimin e insekticidit Silicon Mix, i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve, me pasoja të dëmshme për shëndetin. Pa cenuar sekretin hetimor, kërkojmë informacion lidhur me mënyrën e trajtimit të materialit”, theksohet në letrën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Së fundmi nëpër media është denoncuar se një sasi e konsiderueshme insekticidi e llojit Silicon Media është hedhur në tregun shqiptar si pleh kimik. Rasti qe evidentuar më parë edhe nga Kontrolli i Lartë i shtetit, i cili ngriti akuza për vendim në shkelje të ligjit. Kjo pasi insekticidi ishte bllokuar fillimisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, për t’u zhbllokuar me një urdhër të ish Ministrit Niko Peleshi. Kjo edhe pse laboratori shtetëror i analizave e kishte klasifikuar Silicon Mix si pesticid dhe jo si pleh kimik. Sipas ekspertëve, ky pesticid bart rreziqe të mëdha për shëndetin e njerëzve.