Sa herë që mendojmë për hudhrën, nuk mund të mos bëjmë ndonjë fytyrë të shtrembër pasi gjëja e parë që na vjen në mend është aroma e saj. Por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që është një ndër ushqimet më të pasura dhe më të shëndetshme që mund të ekzistojë.
Krahas hudhrës së njomë në ngjyrë të bardhë e jeshile dhe hudhrës klasike të thatë, ekziston dhe një varietet i ri, hudhra e zezë.
Hudhra e zezë bëhet nëpërmjet një proçesi fermentimi, një teknikë që aplikohet prej mijëra vitesh. Hudhra përmban sheqerna dhe amino acide.
Gjatë proçesit të fermentimit, këto elementë prodhojnë melanoidinën, një substancë me ngjyrë të zezë që është përgjegjëse për nxirjen e hudhrës. Zakonisht, fermentimi i hudhrës ndodh në një proçes të kontrolluar që shija dhe përmbajtja e saj të ruajnë vlerat.
Si të përgatisësh hudhrën e zezë në shtëpi.
Zgjidhni kokrrat e hudhrës së freskët me thelbinj të plotë kryesisht me ngjyrë të bardhë ose të kuqe. Kokrra duhet të jetë e paprekur dhe e padëmtuar, përndryshe të gjitha përpjekjet do të shkojnë dëm. Proçesi është shumë i thjeshtë dhe nuk kërkon shumë kohë.
Pasi t’i lani dhe pastroni lërini të thahen në një vend të freskët për më shumë se gjashtë orë. Shikoni nëse janë të pastra. Nëse jo, lajini sërish. Mos përdorni hudhër të njomë.
Fusni kokrrat e hudhrës në një tenxhere ose enë me korent. Nuk është e nevojshme të hiqni lëkurën e hudhrës.
Në Azi, njerëzit kanë enë të posaçme me temperaturë të ulët dhe nivel gradimi të lagështisë që përdoret në një proçes nxirje që zgjat plot 200 orë. Ky proçes nis dhe mbaron duke rritur nga pak temperaturën dhe duke ulur lagështinë në të njëjtën kohë.
Nxirja e hudhrës bëhet edhe në furrë, ose në tenxhere me presion, ose me korent. Nxirja e hudhrës kërkon një temperaturë të ulët dhe të ngadaltë, dhe më e mira është përdorimi i një tenxhere ku temperatura të gradohet 50 apo 60 gradë dhe ta lini në prizë për të paktën 14 ditë ose maksimumi 40 ditë. Tenxheren nuk duhet ta mbani në shtëpi sepse aroma e hudhrës është shumë e fortë.
Si të gatuash hudhrën e zezë.
Pasi të keni nxjerrë hudhrën e zezë, ju mund ta gatuani atë në shumë mënyra, shumica prej të cilave të ngjashme me rastin e hudhrës së bardhë. Hudhrën e zezë mund ta përdorni në gatime, pica, pure, oriz. Mund ta shoqëroni me djathra, mish në furrë, salçice, peshk etj.
Vlerat shëndetësore
Proçesi i fermentimit nuk ia merr hudhrës vlerat fantastike të saj. Në fakt, hudhra është e pasur me antioksidantë dhe substanca të tjera që janë shumë efektive në parandalimin e kancerit dhe një sërë sëmundjesh të tjera.
Hudhra e zezë i ka këto vlera të shumëfishuara dhe me kalimin e kohës ajo bëhet më e ëmbël. Hudhrën e zezë mund ta ruani për deri 3 muaj duke e vendosur në një enë qelqi dhe ruajtur në frigorifer.
Kundër kolesterolit.
Proçesi një-mujor i fermentimit krijon një supër hudhër. Të gjithë përbërësit dhe vlerat fillestare që gjenden tek hudhra e freskët shumëfishohen tek hudhra e zezë dhe kanë aftësi të mrekullueshme për uljen e kolesterolit.
Mbron nga infeksionet
Hudhra e bardhë përmban shumë substanca që luftojnë mikrobet, infeksionet dhe mykun. Tek hudhra e zezë, përbërësi i njohur si S-allylcysteine ndihmon në përthithjen e alicinës që ndihmon metabolizmin dhe fuqizon aftësitë mbrojtëse kundër infeksioneve.
Mbron nga sëmundjet
Hudhra është e pasur me antioksidantë. Niveli i tyre tek hudhra e zezë është dyfish më i lartë. E dimë tashmë që antioksidantët mbrojnë qelizat nga sëmundjet dhe parandalojnë proçesin e plakjes. Duke qenë se hudhra e zezë është kaq e fuqishme, antioksidantët që ajo ofron japin mbrojtjen maksimale nga dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira.
Rrjedhimisht hudhra e zezë është një ushqim ideal për të luftuar sëmundjet kronike. Radikalet e lira shkaktojnë dëme të mëdha në zemër, duke hapur rrugën për sëmundje si ajo e Alzheimerit, probleme me qarkullimin e gjakut, artitit dhe sëmundje të tjera kronike. Hudhra e zezë nuk ka të njëjtën aromë të fortë si hudhra e bardhë dhe mund të konsumohet në sasi të mëdha pa dhënë ato efektet e padëshiruara siç është aroma e gojës.