Miliona të rinj u dyndën nëpër rrugët e mijëra qyteteve në të gjithë globin ditën e Premte, për t`i kërkuar politikbërësve që të merren masa urgjente në drejtim të ndryshimeve klimatike. Protesta mbarëbotërore u frymëzua nga 16-vjeçarja suedeze, Gretha Thunberg, e cila tashmë është kthyer në një simbol.
Të alarmuar nga imazhet që tregojnë Amazonën të digjet, apo akujt e Groenlandës të shkrihen, studentë apo punëtore braktisën të premten shkollën dhe punën, dyqanet e zyrat në thuajse çdo cep të globit, duke synuar të ndalojnë atë që ata e shohin si një katastrofë ambientale. Madje, me ta u bashkuan edhe fitues të çmimit Nobel ndër vite. Protestat nisën në ishujt e paqësorit, ku rritja e nivelit të ujit po kërcënon jetën, më pas vijoi në Australi, Japoni, Azinë juglindore, Europë, Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Amerikat. Protesta e paprecedentë e koordinuar e studentëve kulmoi në Wall Street, New York, aty ku disa investitorë kanë përqafuar industrinë fosile të nxjerrjes së naftës.
“Kjo është një emergjencë. Shtëpia jonë është në zjarr, dhe kjo nuk është vetëm shtëpia e të rinjve. Këtu jetojmë të gjithë. Kjo na prek të gjithëve. Dhe ne nuk do të rrimë këmbëkryq duke parë se ç`po ndodh. Ne jemi të bashkuar përpara shkencës dhe do të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për të ndaluar këtë krizë nga përkeqësimi, edhe në rast se kjo do të thotë të lëmë shkollën apo punën, pais kjo është më e rëndësishme. Pse duhet të studiojmë për një të ardhme që po na merret me forcë?”-deklaroi përballë protestueve Gretha Thunberg, 16 vjeçarja më e famshme në botë, e cila ja doli që të ngrejë miliona njerëz në proteste në çdo cep të globit, për një çështje më aktuale se kurrë; ndryshimet klimatike.
Edhe në Tiranë dhjetra të rinj kanë dalë me parrulla duke marshuar nge Sheshi Skëndërbej te Korpusi Universitar.