Nga Dr. Agim Nelaj
Rriqra trakeale (acarapis woodi)
Paraziti është mjaft i përhapur në vendin tonë. Kampionet, (bletëve nga disa rrethe, jo vetëm të jugut) rezultuan me invazion të mesëm dhe të rëndë. Paraziti është i vogël për t’u parë me sy të lirë.
Në fillim u quajt “Sëmundja Isle of Wight”, emërtim që lidhet me vendin ku ishte vërejtur për herë të parë. Më vonë u quajt “Sëmundje Acarine”.
Acarapidosis (Akarioza ose Acarine) është sëmundje e bletëve të rritura. Shkaktohet nga një parazit tarsonemid. Njihet si paraziti trakeal, rriqra trakeale (Acarapis woodi). Paraziti është i sistemit të frymëmarrjes. Ai jeton dhe riprodhohet kryesisht në trake, në pjesën e paratoraksit të bletëve. Ushqehet me hemolimfë, të strehuesi i tyre.
Efekti dëmprurës që i shkaktohet bletës së infektuar, varet nga numri i parazitëve brenda në trake. Kjo për shkak të:
– Lëndimeve traumatike, me lezione në brendësi të trakes.
– Çrregullimeve fiziologjike me pasoja, që pengon kalimin e ajrit.
– Varfërimit të hemolimfës. Parazitët zhvillohen në muret trakeale. Ata janë të bardhë dhe të tejdukshëm. Në pjesët e zbardhura mund të vërehen zona me njolla të zeza. Kjo për shkak të melaninës. Shkalla e vdekshmërisë në bletë, mund të shkojë nga niveli mesatar deri në më të larta.
Shfaqja e hershme e infeksionit, zakonisht kalon pa u vënë re. Sëmundja, rregullisht, shfaqet në fillim të pranverës. Infeksioni përhapet me kontakt të drejtpërdrejtë. Preken bletët e reja nën 10 ditë.,.. Paraziti femër mund të vendosë 8-20 vezë. Janë 2-4 herë më shumë femra se meshkuj. Zhvillimi merr 11-12 ditë për meshkujt dhe 14-15 ditë për femrat. Paraziti zbulohet kryesisht në laborator. Në rrethana të tjera mjafton një mikroskop apo një lente zmadhues. Në mikroskop vërehen lirshëm, ose drejtpërdrejt brenda trakesë ose duke i larguar prej saj. Në muret anësore te trakesë. vërehen disa organizma të vogla vezake. Procedura e gjetjes, ne kushte praktike. Bletari i vëmendshëm, me kujdes, vendos bletën në një xham, e fikson, heq kokën, evidentohet gjoksi ,i merret për t’u shqyrtuar nën një xham zmadhues (20-30 X). Hiqet segmenti i parë i kraharorit dhe palën e këmbëve të para, me anë të një piskatoreje.
Hapja bëhet rrethore, veçohet trakea nga linjat kryesore të kraharorit. Pjesa e sipërme e trakesë shihet qartë. Diagnoza pozitive ka të bëjë me praninë e njollave të melaninës në muret e trakesë, në infektime të lehta, ose me praninë e trupave vezakë të tejdukshëm, që shihen me lehtësi brenda trakesë.
Për shqyrtimin e mëtejshëm mikroskopik (p.sh. vërtetim i infektimeve të lehta), hiqet trakea dhe vendoset mbi një lamë, me një pikë ujë. Mund të vërehen parazitë të rritur, si dhe fazat e tyre individuale të zhvillimit.
Përgatitja e mostrës së bletëve, për të zbuluar trakenë, në palën e parë të kraharorit: bleta vendoset në shpinë edhe mbahet me gishtin e madh dhe gishtin e tregues. I hiqet koka dhe përdoret një mprehëse e hollë me majë, ose më mirë një brisk rroje për të hapur pjesën që rrethon qafën; menjëherë shfaqet trakea, dukshëm si hije ose e qartë, në ngjyrë kafe të errët. Infestimet e vjetra dhe të rënda e bëjnë ngjyrë kafe gjithë trakenë.
Rriqra trakeale është parazit i sistemit të frymëmarrjes së bletës së rritur. Infestimet e rënda mund të vrasin një familje të tërë blete. Prodhimi i mjaltit dhe mbijetesa e dimrit ndikohen, kur një e treta e bletëve punëtore të familjes janë parazitë mbajtëse.
Për mostra me të mëdha të bletëve, kur dyshohet, përgatiten terrene, ose materiali njësohet në ujë e mandej filtrohet. Mund të përdoret acid laktik i përqendruar. Në të lihen për 10 minuta. Më pas bëhet ekzaminimi mikroskopik.Parazitët mund të ngjyrosen me teknika histologjie, në mënyrë që të mund të vërehen brenda trakesë.
Trakea e ndarë, pastrohet me hidroksid kaliumi 8% dhe ngjyroset me blu metilen 1%. Është metoda më e mirë për një numër të madh të mostrave. Janë bërë përpjekje për teste serologjike, por aktualisht të tillë teste nuk janë të mundshëm. Infeksioni përhapet nga një bletë tek tjetra përmes takimit të drejtpërdrejtë. Nuk ka shenja të besueshme klinike për diagnozën e saj. Shenjat e infestionit nuk janë specifike.
Bletët sillen në të njëjtën mënyrë si në sëmundje apo çrregullime të tjera. Ato zvarriten në fund të zgjoit ose në fije të barit.Fluturojne pak dhe bien para zgjoit, nuk janë në gjendje të fluturojnë.
Diarreja mund të jetë e pranishme. Bletët zvarriten. Nuk formojnë lëmshin dimëror. Flatrat në secilën anë janë të ndara dhe marrin formën e shkronjës “K”.
Barnat
Përdoren lëndë, të cilat veprojnë kundër të dy lloj rriqrave. Ne kushtet tona trajtimi është i nevojshëm.Perdoren kryesisht me vaj esencial në muajin gusht apo në fillim të vjeshtës. Me të rëndësishëm barnat qe përmbajnë Vaj esencialë Mente ose kristal mente.
Ato veprojnë në dy mënyra:
– Përmes kontaktit të drejtpërdrejtë: Kur rriqrat acarapis woodi dhe varroa ndeshen drejtpërsëdrejti me vajra esencialë, asgjësohen brenda pak minutash.
– Përmes dhënies në ushqim; jepet sherbet që përmban vajra esencialë. Përfundimi: në disa familje të kontrolluara (pa trajtime), 30% kishin rriqra trakeale; në familjet e trajtuara, 10% ose më pak kishin rriqra trakeale. Në disa vende përdorët vaj metilsalicilati, duke e vendosur në fund të zgjoit.