Mallrat e importit, mungesa e tregut të shitjes dhe mungesa e subvencionimeve nga shteti ka bërë që prodhimet vendase të tokave bujqësore të serave të hidhen ne plehra nga ana e fermereve pasi me cmimin aktual nuk justifikojne asnjelloj shpenzimi.
“Është shumë krizë këtë vit në krahasim me vitet e tjera, rreth 30% e prodhimit është hedhur pasi konsumi i brendshëm nuk mund ta konsumojë dot gjithë këtë prodhim, ndërkohë kërkesa për eksport është shumë e pakët pasi jashtë vendit ka akoma prodhim”, shprehen fermerët.
Fermerët deklarojnë se po shkojnë drejt falimentimit, sepse shteti jo vetëm që nuk ndërpret prodhimet nga jashtë për të qarkulluar prodhimi vendas, por as nuk i ndihmon aspak fermerët për TVSH-në dhe plehrat kimike.
“Neve na ka marë lumi si fermer,fermerit nuk i del as për naftën. Si prodhues jemi të fundit në rajon dhe s’kemi pasur asnjë ndihmë nga shteti, ndërsa si tregtar ne nuk kemi pasur barriera nëpër dogana”, pohojnë fermerët e Kutallisë.
Mungesa e tregut vendas dhe eksportit po i çon fermeret e Lushnjes, Fierit dhe beratit drejt rrënimit total. Aktualisht ata janë duke eskportuar në sasi të pakëta vetëm në Bullgari dhe Itali, ndërkohë që produkti i brendshëm në vend nuk i përballon dot 600-700 ha sera që janë me prodhim.