Shkenca moderne ka identifikuar më shumë se 15 vitamina esenciale dhe minerale në bimën e purqarkut. Keni dëgjuar për purqarkun, shelpin ose sallatën e ujit? Kjo barishte rritet pranë burimeve të ujit, madje shpesh anashkalohet edhe pse është pjesë e së njëjtës familje botanike si ajo e lakrës dhe rukolës. Kjo barishte tërheqëse dhe e shijshme ka gjethe të rrumbullakëta të vogla, të cilat gjatë verës prodhojnë gonxhe të vogla lulesh bardhoshe me fara të ngrënshme. Sallata e ujit është kultivuar në Evropë prej shumë e shumë vitesh me rradhë. Ajo gjendet në Shqipëri më së shumti si bimë e egër e rritur natyralisht. Kjo barishte përdoret në shumë mënyra në kuzhinë. Atë mund ta shijojmë si një sallatë të zakonshme (me shumë vlera ushqyese) me spinaq të freskët, ose në supa. Duke qenë se kjo barishte rritet pranë vendeve me ujë, ajo duhet të lahet në ujë të bollshëm dhe pastaj të qëndrojë në ujë të ftohtë me një lugë sodë buke për gjysëm ore, që të garantohet heqja e ndotësve, parazitëve dhe papastërtive të tjera. Sipas kërkimeve për freski të mëtejshme, barishten mund ta mbani në ujë dhe ta ruani në frigorifer për dy deri në tre ditë. Para ngrënies, shpëlajeni sërish dhe ndani gjethet nga rrënja.
Vlerat shëndetësore të sallatës së ujit .
Sallata e ujit ka pak kalori por përmban një sërë elementësh të shëndetshëm dhe antioksidantë me vlera parandaluese ndaj sëmundjeve. Gjethet dhe kërcelli janë të pasur me disa elementë që parandalojnë formimin e radikaleve të lira në organizëm. Vitamina K gjendet me shumicë tek sallata e ujit, duke plotësuar 312% të dozës së rekomanduar ditore. Vitamina K formon dhe forcon kockat dhe kufizon dëmet në tru, duke ndihmuar në trajtimin e sëmundjes së Alzheimer. Sallata e ujit përmban një sasi të madhe të Vitaminës C, 72% të dozës ditore të rekomanduar dhe 64% të vitaminës A. Vitamina C ka aftësi fantastike për të luftuar infeksionet, të ftohtin, virozat dhe parandalojë mungesin e hekurit. Vitamina A, që ndryshe njihet si retinol është thelbësore për funksionimin e duhur të sistemit imunitar. Ajo prodhon pigmentet në retinën e syrit, mungesa e së cilave mund të shkaktojë humbje të shikimit në errësirë. Përveç antioksidantëve, kjo barishte përmban edhe mangan dhe kalcium, i nevojshëm për kockat dhe dhëmbë të fortë. Antioksidantët që gjenden tek barishtja ndihmojnë kundër kancerit të mushkërive dhe të gojës, ndërkohë që kompleksi i vitaminave B6 ndihmon në ruajtjen e funksioneve të metabolizmit. Kini parasysh që, nëse blini barishte të cilat janë rritur në ujëra të ndenjur, ato janë të mbushura me parazitë ose patogjenë, ndaj duhet t’i lani mirë para ngrënies dhe mund të përdorni uthull ose sodë buke për larjen e tyre. Mund të duket punë e gjatë, por ia vlen pasi vlerat që përmban janë fantastike.
Fakte interesante për sallatën e ujit.
Kjo barishte përveç vlerave në ngrënie, ka aftësi shëruese fantastike me reputacion të madh të të gjithë botën. Rreth viteve 400 para Krishtit, kur Hipokrati ngriti spitalin e parë në ishullin e Kos-it ai kërkoi që vendndodhja e tij të ishte pranë një rrjedhe lumi në mënyrë që të kishte këtë barishte me tepricë, për të trajtuar pacientët e sëmurë. Në vitet 1700, Nicholas Culpeper, studiues dhe botues i ‘Bimët e Culpeper-it’ vërtetonte se sallata e ujit arrinte të pastronte gjakun e njeriut. Shkenca moderne ka identifikuar më shumë se 15 vitamina esenciale dhe minerale në këtë bimë, e cila përmban më shumë hekur se spinaqi, më shumë kalcium se qumështi dhe më shumë vitaminë C se portokallet. Sallata e ujit mund të quhet edhe ushqimi i parë i shpejtë. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë ajo ishte një mjet jetese. Asokohe, sallata e ujit njihej si ushqimi i një të varfri. Gjethet përdoreshin për të mbështjellë ushqime të tjera si në rastin e panines, por në variantin më të lirë të saj.