200 fermerë në Korçë janë bashkuar dhe përmes aplikimit të një teknologjie të re si dhe subvencionimi me fonde nga qeveria, kanë krijuar “Sweet Farm” që kultivon 15 varietete mollësh në një sipërfaqe rreth 20 hektarë tokë. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi nga afër këtë sipërmarrje, e cila ka për investitor edhe një shqiptar të kthyer nga Kanadaja.
“Kjo fermë është model edhe përsa i përket organizimit sepse kemi të bëjmë me bashkimin e rreth 200 fermerëve. Është model sepse kemi një kombimin shumë të mirë të njohurive të investitorit që ka ardhur nga Kanadaja dhe të fermerëve.
Ky model ka gjetur edhe rrugën e subvencionimit nga shteti shqiptar për ta sofistikuar më shumë të gjithë fermën përsa i përket ruajtjes nga breshëri, por edhe vaditjes me pika.
Ky kombinim i shkëlqyer ka sjell një rezultat të shkëlqyer. Është një fermë që nuk qahet për shitjen e prodhimit, por gjithmonë rritet”, tha ministri Çuçi teksa theksoi se ky model duhet të aplikohet edhe nga fermerë të tjerë të vendit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se e ka mbështetur këtë sipërmarrje me fonde në tre skema: mbjellja e 4 hektarëve fidanë, ujitja me pika dhe rrjeta mbrojtëse nga breshëri.
Ministri Çuçi shprehu mbështetje të mëtejshme për zgjerimin e fermës në komponentë të tjerë si magazina frigoriferike, një linjë përpunimi për mollët, si dhe shndërrimin e saj në një pikë agroturizmi apo qendër ku mësohet më shumë për pemëtarinë.
Subvencioni i dhënë nga MBZHR për këtë fermë është rreth 7.8 milionë lekë të reja.
Ferma “Sweet Farm” kultivon llojet më të mira të mollëve që shiten në tregun vendas dhe të huaj si “Fuxhi”, “Starking”, “Golden”, “Brina”, “Gala”, “Grand Smith”etj. Një element dallues i tyre është se këto kultivarë nuk kanë nevojë për spërkatje. Subvencioni i dhënë nga MBZHR për këtë fermë është rreth 7.8 milionë lekë të reja.