Të gjitha produktet bujqësore dhe ushqimore “Made in Albania” që do të certifikohen nga autoritetet përkatëse si specialitetet tradicionale të garantuara do të siglohen me logon përkatëse.
Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe logon përkatëse që do të vendoset në etiketën shoqëruese të produkteve.
Logoja “Specialitet tradicional i garantuar” apo ndryshe (STG) vendoset vetëm në etiketën e produkteve bujqësore dhe ushqimore të regjistruara si STG, shoqëruar me emrin e produktit të regjistruar.
Sipas Vendimit të Qeverisë, Logoja STG do të përdoret për produktet që tregtohen brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që do të mund ta përdorin ekskluzivisht subjektet, produktet e të cilëve do të certifikohen zyrtarisht si Specialitet tradicional i garantuar.
“Logoja mund të përdoret vetëm mbi produktin bujqësor apo ushqimor, i cili është regjistruar si STG dhe nuk mund të përdoret në një produkt që ka në përbërje të tij një STG”, thekson vendimi I Qeverisë. Logoja vjen në ngjyrë të kuqe, por janë parashikuar të përdoren edhe variante të tjera në rastet kur ngjyra e sfondin nuk lejon evidentimin e qartë të saj. (SCAN)