Reklame:

Fondet per bujqesine, fermeret shqiptare kane perfituar shume pak!

Ministria e Bujqësisë ka çelur thirrjen e radhës për të gjithë fermerët dhe operatorët në këtë sektor për të përfituar nga fondet e programit IPARD të Bashkimit Europian.

Janë 94 milionë euro që janë planifikuar të akordohen në periudhën nga viti 2014 deri më 2020. Deri më tani, një pjesë e këtyre fondeve janë djegur, për shkak të mos plotësimit të kritereve nga aplikantët. Por cilat janë vështirësitë e fermerëve për të aksesuar në këto fonde?

“Vështirësia e parë ka të bëj me mënyrën e organizimit, elementi i dytë ka të bëj me problemet e pronësisë. Elementi i trete me lejet e ndërtimit. Duke qenë se shumica ka këto problematika, u jepet shansi të përfitojnë disa herë ato fermerë që janë të konsoliduar”, thotë Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit shqiptar.

Përfitues të fondeve të programit IPARD, ku 75% jepen nga Bashkimi Europian dhe 25% nga qeveria shqiptare janë të gjithë operatorët në prodhimin dhe përpunimin e qumështit, mishit, fruta perimeve, vreshtarisë, bimëve aromatike e mjekësore, turizmit rural dhe energjisë së rinovueshme.