Nisur nga shqetësimi që jemi ndër të vetmet vende në botë që ende nuk i kemi dhënë zgjidhje një prej problemeve kryesore, asaj të energjisë për ngrohje
për banorët e zonave rurale e urbane, Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale, në Ditën e Shërbimit Pyjor Shqiptar (27 janar) i bën thirrje të
gjithë politikëbërësve dhe vendimmarrësve që t’i japin rëndësinë e duhur këtij sektori që vazhdon të lëngojë për rreth tre dekada tashmë.
Nëse vendet e Evropës Qendrore apo Veriore, ku megjithë klimën realtivisht më të ftohtë, i kanë dhënë zgjidhje problemit të ngrohjes vite në mos dekada
më parë, kjo gjë për ne mbetet ende sfiduese dhe kërkon një zgjidhje të qëndrueshme dhe sa më shpejt.
Ndonëse vitet e fundit ka një shqetësim të shtuar për të rivlerësuar burimet natyrore, si p.sh. biomasa në sigurimin e energjisë së rinovueshme, i cili reflektohet
në rishqyrtimin e qasjeve karshi menaxhimit të formacioneve pyjore të destinuara për prodhim të energjisë së rinovueshme.
Çfarë ka ndodhur, nuk mund të zhbëhet.
Ajo që mbetet në dorën tonë është reflektimi pas gabimeve. Këtu padyshim merr rol të veçantë organizimi i mendimit tonë dhe marrja e një vendimi për të gjetur
në mënyrë urgjente zgjidhjen, duke qenë se si komb i kemi të mjaftueshme dijet për ta gjetur atë.
Dhe për më tepër, nëse e shpëtojmë tokën tonë nga kjo katastrofë ekologjike, i kemi shërbyer mbijetesës sonë dhe brezave që na vijnë pas.
Është inkurajues fakti që disa politikanë e kanë vërejtur këtë shqetësim popullor dhe, për të fituar simpatinë e votuesve të tyre, e mirë bëjnë, e kanë
kthyer në kryefjalë të ditës mbjelljen e pemëve, miliona syresh në mbarë territorin e vendit. Kjo është diçka shumë pozitive, por ekziston nevoja e një barazpeshe
midis mbjelljes artificiale e asaj që ka potencën ta bëjë natyra, nëse politikat që ne hartojmë mbajnë anën e lidhjeve shekullore të komuniteteve tona me natyrën,
ku banorëve u delegohet më tepër përgjegjësi.
Riorientimi i fermave shqiptare drejt mbjelljes së pemëve për të siguruar energji Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale
Çdo banor i Zall Bastarit, tashmë një nga Njësitë Administrative të Bashkisë së Tiranës është dëshmitar i rritjes së pyllit të dushkut në këto 27 vite, pa mbjellë
qoftë edhe një fidan të vetëm, pikërisht aty ku e shkulën dushkun në zbatim të politikave të gabuara që politikëbërësit e para viteve ‘90 i ligjëronin dhe
ekspertët i zbatonin, për të mbjellë në tokën e pyllit pemë frutore. Si ky rast ka plot të tjerë, në mbarë territorin e vendit.
Do ishte tepër e dobishme nëse Bashkia e Tiranës do të ftonte mediat e të jepte një mesazh, pikërisht për këtë mrekulli që e mundëson natyra. Nëse pëllëmbë pas
pëllëmbe toka e Zall Bastarit do të kalohej në ruajtje nga banorët, i gjithë pellgu ujëmbledhës në këto vite do ishte kthyer në një pyll natyror të mrekullueshëm dhe ujit të Tiranës do i kthehej cilësia e dikurshme.
Herë pas herë agjenci kombëtare e ndërkombëtare kanë ndërmarrë studime për të llogaritur nevojat vjetore për dru zjarri për familjet që jetojnë në zonat
rurale. Dhe, sipas llogaritjeve vlerësohet se nevojitet një sasi prej një metër kub dru zjarri për çdo banor, e cila gjithsej shkon në 1.5 deri 2 milionë metër kub.
Pra, jemi në një stad zhvillimi si shoqëri kur nevojat e mëdha për ngrohje rrezikojnë zhveshje të mëtejshme të natyrës e të tokës dhe ky rrezik na vjen nga pamundësia për të gjetur hapësirë për të rritur këtë sasi vjetore të drurit.
Sfida e momentit për politikat pyjore shqiptare, që mund të frenojë shkatërrimin e mëtejshëm të natyrës është që, çdo banori t’i llogaritet dhe t’i sigurohet një
sasi vjetore përafërsisht një metër kub dru zjarri për të mundësuar ngrohjen gjatë dimrit në vendin tonë.
Në kushtet aktuale të emergjencës, plotësimi i nevojave vjetore mund të arrihet duke kultivuar lloje me rritje të shpejtë e me cikël të shkurtër të
prerjes, aktualisht provuar në disa vende të Evropës.
Prodhimi i biomasës për ngrohje brenda territorit të vendit ka rëndësi, si nga pikëpamja ekonomike ashtu edhe ekologjike. Kjo për faktin se koston kryesore
të materialeve të biomasës që përdoret për ngrohje e mban transporti, ku përveç rritjes së kostos ka ndikim shumë negativ djegia e një sasie të madhe
karburanti për transport, nëse druri do të vijë nga vendet fqinje si Mali i Zi, Kosova apo Maqedonia.
Nga eksperimentet e realizuara vitet e fundit në mjaft vende të Evropës si Suedi, Gjermani, Greqi, Kosovë, etj., rezulton se nga llojet me rritje të shpejtë dhe me cikël të shkurtër, në një cikël 4 vjeçar mund të merren 80 metër kub masë drusore për hektar.
Për plotësimin e nevojave të popullatës për dru zjarri do të ishte e nevojshme të kultivoheshin 100 mijë hektarë në zona fushore me prodhimtari të
lartë të tokës. Nëse kjo alternativë shqyrtohet, do të kishte një ndikim shumë pozitiv në punësim, si dhe në të ardhurat e fermerëve.
Është një rast shumë i mirë, ku nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje, qeveria krijon mundësi të justifikojë e të bëjë më të pranueshëm nga ana
logjike moratoriumin për prerjet e pyjeve, që është kthyer aktualisht në ligj nga Parlamenti Shqiptar.
Kjo do të kërkonte përfshirjen e mbjelljes së plantacioneve për prodhim të drurit për ngrohje në skemat e subvencionimit të bujqësisë.
Gjithashtu, kjo bën të mundur për çdo familje, që siç përdor fermën bujqësore për ushqim, ta përdorë atë edhe për të mbjellë biomasë për
të siguruar ngrohjen dhe energjinë vjetore që i duhet.
Kjo situatë emergjence është një mësim për të hartuar një ligj, që të garantojë bashkëpunim mes shtetit e fermerëve për të riorinetuar
organizimin e fermës bujqësore, që ajo të jetë në gjendje për të furnizuar tregun me sasinë e nevojshme të biomasës së siguruar në mënyrë
të qëndrueshme, duke ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e tokave bujqësore dhe stimulimin e fermave private pyjore, që përveç funksionit
prodhues do të kenë edhe rëndësi të madhe mjedisore për të mbrojtur fushat e vendit tonë nga përmbytjet.
(mjedisisot)