Reklame:

Programi IPARD/ Çuçi: Do te investohen rreth 22 milione euro ne sektorin bujqesor dhe rural

Gjatë takimit të pestë të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD, Ministri i Bujqësisë dhe i  Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi deklaroi se rreth 22 milionë euro do të investohen në sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural në Shqipëri, përmes dhjetëra kontratave të lidhura deri më tani.

Sipas tij ky është një lajm i mirë për një vend si Shqipëria që përgjithësisht ka probleme me përthithjen e fondeve të donatorëve.

“Unë jam optimist që ne do të arrijmë të kapim të gjithë afatet për sa i përket mobilizimi të fondeve të kësaj skeme dhe nuk do të djegim asnjë fond që vjen nga Brukseli. Dua që të gjithë të kuptojnë se me gjithë vështirësitë që ka përgjithësisht Shqipëria për thithjen e fondeve që vijnë nga donatorët, në këtë rast ne jemi një histori suksesi. Kjo nuk është për të na vënë në gjumë, por për të na mbajtur zgjuar. Sepse shuma që duhet të shpenzojmë vitin tjetër duhet të jetë dyfish sa shuma e këtij viti”,  u shpreh ministri Çuçi.

Sipas njoftimit, të pranishëm në takim ishin edhe Marius Lasdinis, drejtuesi i programit IPARD; Mario Mariani, drejtues i Zyrës së Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Tiranë; si dhe Frida Krifca, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Aplikimet për thirrjen e dytë të programit IPARD u hapën më 30 tetor të këtij viti dhe do të mbyllen më datë 16 dhjetor 2019.