Reklame:

Efektet e ndryshimit klimatik: Pritet t’i heqe 3% rritjes ekonomike boterore!

Ndryshimi klimatik mund t’i heqë rritjes ekonomike botërore 3% në 30 vitet e ardhshme, sipas një studimi të njësisë së inteligjencës të “The Economist”. Afrika, Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme pritet të kenë ndikimin më të madh nga ndryshimi klimatik, për shkak se kanë temperatura mesatare të larta dhe ekonomi më të vogla në përmasë. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që rritja ekonomike botërore të arrijë 3% këtë vit, që është niveli më i ulët që prej krizës botërore financiare. Edhe Shtetet e Bashkuara nuk pritet t’i shpëtojnë efekteve të ndryshimit klimatik. Shtetet e Bashkuara mund të pësojnë një reduktim të rritjes ekonomike me 1% në 3 dekadat e ardhshme.

“Modeli i ndryshimit klimatik llogarit se deri në 2050, ekonomia e SHBA do të jetë 1.1% më e vogël, për shkak të këtij fenomeni”, bën të ditur raporti, duke përmendur evente si zjarret më të shpeshta në Kaliforni.

Vitin e kaluar, një raport e qeverisë së SHBA, bëri të ditur se ndryshimi klimatik mund ti kushtojnë ekonomisë miliarda dollarë.  Liderët botërorë do të takohen në fillim të Dhjetorit në Madrid, në konferencën e ndryshimit klimatik të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutojnë për mënyrën se si të limitojnë rritjen e temperaturës mesatare botërore në 1.5 gradë celcius.