Reklame:

Shqiptaret dhe rakia – Afro 60% konsumojne alkool, fieraket jane me “pijedashesit”.

60% e shqiptarëve pinë rregullisht alkool. Statistikat e Instat konfirmojnë traditën e një raporti të ngushtë mes meshkujve dhe gotës në Shqipëri. Studimi i fundit demografik dhe shëndetësor ka treguar se konsumi i rregullt i alkoolit gjatë 12 muajve të vitit është veçanërisht i theksuar në Qarkun e Fierit, me 88% dhe atë të Beratit, me 87%. Në përgjithësi, duket se lidhja e meshkujve me alkoolin është më e fortë në qarqet e Shqipërisë se Mesme dhe të Jugut, ndërsa në Shqipërinë e Veriut konsumi i pijeve alkoolike është mesatarisht më i ulët. Qarku ku burrat pinë më pak alkool është Dibra, me 28%, i ndjekur nga Kukësi me 39% dhe Shkodra me rreth 45%.

Ndërkohë që konsumi i alkoolit në shkallë të lartë mes meshkujve nuk përbën surprizë, pija po josh në masë të konsiderueshme edhe femrat. Sipas Instat, në Shqipëri pinë alkool gjatë 12 muajve të vitit 28% e femrave. Edhe mes femrave, qarku i beratit ka shkallën më të lartë të konsumit të alkoolit, me 44%, e ndjekur nga Tirana me rreth 41% dhe Vlora me afërsisht 37%.

Mbështetur në anketën e konsumit të familjeve për vitin e kaluar, çdo familje shqiptare shpenzon mesatarisht rreth 2600 lekë në muaj për alkool dhe duhan. Kjo përbën 3.5% të buxhetit mesatar familjar në vendin tonë. Megjithëse kjo vlerë mund të duket relativisht e ulët, sërish familjet shqiptare shpenzojnë për alkool dhe duhan më shumë para nga sa shpenzojnë për arsim apo për argëtim dhe kulturë.