Reklame:

“Coca-Cola” italiane me plan te qarte/ “Ne 2020 ne Shqiperi”

Deklarata e kreut të “Coca-Colës” në Itali, Luca Busi, se do të transferojë njësitë e prodhimit nga Italia në Shqipëri duket se nuk do të mbetet thjesht në formën e një kërcënimi. Për vitin e ardhshëm kompania ka përpiluar një plan të qartë “mbijetese”, siç e quan vetë. “Sibeg” është kompania që ka ekskluzivitetin e Coca-Colës në Itali, por edhe që zotëron në masën 74.69% kompaninë simotër në vendin tonë, “Coca-Cola Bottling Shqipëria”, (CCBS). Me hyrjen në fuqi të dy taksave të reja, atë mbi sheqerin dhe taksën e plastikës, kompania deklaron se barra është tepër e rëndë, aq sa do t`i detyorojë të shkojnë në Shqipëri.

“Shqipëria është më mirë”-shprehet Busi. Në bazë të llogarive paraprake të Coca-Colas italiane, të ardhurat e saj në vit do të bien me 30%, nga 115 milionë, në 86 milionë, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e dy taksave, barra e të cilave do të shpërndahet edhe te konsumatori. Madje, kompania projekton që çmimi i produkteve të rritet automatikisht me 20-30%. Prej tetorit të vitit të ardhshëm ndërkohë planifikohet pushimi nga puna i 151 punonjësve mbi 340. Këtu, sipas Busit hyn edhe faza e mbijetesës, ku do të bëhet edhe transferimi i njësive të prodhimit drejt Shqipërisë.

“Kishim ndërmend të bënim investime në Catania, por nuk do t`i bëjmë dhe do të shkojmë t`i bëjmë në Shqipëri, atje ku kemi një impiant me më pak linja prodhimi se në Catania, e ku aktualisht prodhojmë edhe produkte për Shqipërinë”-thotë drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, i cili shton se nuk do të heqin dorë nga kompania në Siçili. Kostot e logjistikës dhe të doganës do të përballohen duke eksportuar nga Tirana. “Shqipëria është një territor më i mirë për sipërmarrjet, dhe jo i mbitaksuar si territori italian”-nënvizon Busi. (SCAN)