Gjatë vegjetacionit vërehen dëmtime të theksuara në frutat e domateve, sidomos në ambiente të mbrojtura. Në fruta të domateve këto dëmtime janë shkaktuar nga prezenca e Krimbit të boçës së pambukut (Heliothis armigera), që është një lepidopter noctuid. Insekti i rritur është një flutur e vogël me ngjyrë të kaftë e cila i vendosë vezët mbi gjethe një nga një ose në grupe. Dëmet shkaktohen nga larvat të cilat janë polifage, që prekin misrin, pambukun, duhanin, fasulen, bathen, patllixhanin, specin, pataten, sallaten, por më tepër domaten.
Dëmet e shkaktuara nga larvat në domate janë brejtja e gjetheve, shkatrrimi i luleve, larvat futen në frut kryesisht nëpërmjet bishtit, duke formuar fole 1-2 mm diameter, nga të cilat dalin dhe dëmtojnë frutat e reja, të cilat kalben dhe bien në tokë, kurse ato që janë duke u pjekur preken nga mikroorganizma kërpudhore e bakteriale dhe kalben.
Cikli i zhvillimit
Ky dëmtues në varësi të kushteve klimatike paraqitet nga maji deri në shtator, e edhe më vonë, duke zhvilluar deri 4 gjenerata. Fluturat dalin nga krisalidat dimruese në fund të prillit dhe fillim të majit. Pas një jave çiftëzohen dhe çdo femër vendosë mbi gjethe nga 300 deri në 2700 vezë. Larvat dalin pas periudhës së inkubacionit, që zgjat nga 3 në 12-14 ditë, në varësi të kushteve të mjedisit dhe arrijnë pjekurinë për 11-15 ditë në temperaturë 25-30 0C, duke kaluar 5-6 faza të zhvillimit. Një pjesë e madhe e tyre ngordhin gjatë fazave të para të zhvillimit, ndërsa në moshat e avancuara janë të shpeshta rastet e kanibalizmit. Larvat që kanë përfunduar zhvillimin zbresin në tokë, për t’u krisaliduar brenda një djepi të vendosur në thellësi 2-8 cm dhe fluturat dalin pas 2-3 javësh. Cikli i zhvillimit të insektit varet shumë nga kushtet e mjedisit dhe se në kushte të favorshme një gjeneratë plotësohet për 35-40 ditë.
Masat e luftimit
Luftimi i këtij dëmtuesi në domate është paksa i vështirë, për shkak të sjelljes së larvave, të cilat pas një periudhe të shkurtër jete mbi gjethe, futen brenda frutave, duke iu “shmangur” trajtimeve kimike. Trajtimet kimike kryhen kundër larvave të moshave të reja. Ndër insekticidet që përdoren kundër këtij dëmtuesi janë deltametrina, alfametrina, po ashtu fermerët mund të përdorin edhe insekticidin Avaunt 15 EC, Match 5EC, Deltarin 2.5 etj. Fermerët duhet të luftojnë edhe fizikisht këtë dëmtues, duke i larguar frutat e prekur nga bimët dhe asgjësuar më pastaj fizikisht. Efektiv është edhe punimi i tokës gjatë dimrit, për të nxjerrë në sipërfaqe të tokës larvat dhe krisalidat, të cilat i nënshtrohen në këtë mënyrë veprimit të agjentëve atmosferikë.