Vend emërtimet apo siç përdoren rëndom, toponimet, rol parësor kanë identifikimin në funksion të njohjes dhe të përcaktimit të një vendi, qendre banimi, lumi, lagjeje, etj. Origjina e tyre ka varësi nga rrethana. Ato lindin, përdoren, përhapen, zëvendësohen, apo mund të zhduken përfundimisht. Vetë gjuhët, me kalimin e kohës, duke qenë se pësojnë ndryshime në rrafshet dhe njësitë e tyre, si rrjedhim hedhin mjegull mbi origjinën dhe jetën e fjalëve, njëkohësisht të toponimeve. Ajo që duhet shtuar në këtë rast, është fakti që fjala si një toponim duket sikur krijon një marrëdhënie konkrete me objektin (nëse na lejohet ta quajmë të tillë), sikur shkrihen bashkë. Një ndër lidhjet e ngushta midis emrit dhe vendit, është karakteristika fizike e terrenit, ne nuk duhet t’i injorojmë ato. Largohemi nga kjo marrëdhënie, vetëm nëse dimë saktësisht ose kemi argument të pakundërshtueshme, që zbardhin origjinën apo shkakun fillestar të toponimit. E përmenda këtë fakt sepse ka një rëndësi të veçantë në çështjen tone.
“Jo nga arsye subjektive, por nisur nga kërshëria dhe dëshira e natyrshme, për të njohur se si lindi dhe mori jetë emri i qytetit të LUSHNJES, që ka hyrë në histori dhe sot është pagëzuar me emrin “Qyteti i Kongreseve”, mendojmë se nuk është e udhës që të mbetet e mjegullt apo të jetë produkt i gojëdhënave, etimologjia e emrit të tij”.
Në fakt mungon një mbledhje sistematike, dhe një trajtim i plotë shkencor i toponimeve në Shqipëri. Është e natyrshme që ka vështirësi të gjykohet mbi etimologjinë e një fjale pa një analize rigoroze dhe një vështrim krahasues në gjuhet e tjera që shqipja ka pasur marrëdhënie. E njëjta arsye vlen dhe për toponimet. Dëshmitë arkeologjike dhe faktet historike janë shumë të rëndësishme në përcaktimin e saktë dhe të qartë të emrave topik (emrat e vendbanimeve). Ato ndihmojnë dhe më pas është detyrë e gjuhësisë dhe në mënyrë më të veçantë e gjuhësisë historike, që të shprehet mbi përkatësinë, origjinën e fjalës, dhe rrugën që ajo ka ndjekur për të ardhur deri te ne.
“Doja ta anashkaloja, por shohim që është pranuar apo pranohet lehtësisht në një masë të gjerë njerëzish gojëdhëna mbi origjinën e emrit “Lushnjë”. Gojëdhëna e sjell emrin e qytetit nga hani i një gruaje të quajtur “Salushe”(qoftë dhe variant tjetër nga gruaja e pashait të Beratit)”.
Po të zhvendosim vëmendjen në mundësitë që ka ky variant për të qenë i besueshëm, si rrjedhojë lindin disa pyetje: Kur dhe si ka shërbyer hani dhe ku ndodhej ndërtesa? A lidhet sot emri poseduesit me objektin? Nëse po, atëherë pse na vjen emri pa objektin? Ishte objekti që i dha famën Salushes, apo e kundërta?
Mund të përmendim emrin e qytetit të Gjirokastrës për të parë këtë marrëdhënie. Në të dy variantet e gojëdhënës, qoftë nga Argjiro, qoftë nga Gjin, shohim sot se emri njeriut vjen bashkë me emrin e objektit (kastër, kastro, kështjellë), gjë që s’ndodh në rastin tonë.
Edhe nëse arsyeja që dhamë më sipër nuk na bind, faktet historike na ndihmojnë. Në regjistrat turke të vitit 1431-1432, gjendet i shkruar në gjuhën turke në një hartë të nahijes së Myzeqesë, emri Lushnje (Lusnye). Duke pare vlerën e konvertimit të grafemave (shkronjave) të gjuhës turke në shqip, del qartë se emri është shkruar në turqisht në formën e plotë që përdoret dhe sot:
Duke shkuar në shekullin e XV nëpërmjet fakteve historike, kemi bërë një hap drejt objektit që kërkojmë dhe mendojmë njëkohësisht se kemi dhënë arsye të qarta për të ndarë etimologjinë e emrit Lushnjë nga gojëdhënat në lidhje me këtë temë. Meqenëse në këtë pike ku jemi, nuk mund të na ndihmojë (deri në momentet që flasim) arkeologjia dhe historia në pikëpamjen e fakteve dhe objekteve në mbështetje të qëllimit tonë, e vetmja rrugë mbetet arsyetimi gjuhësor, bazuar në ligjet fonetike, morfologjike, semantike apo kuptimore. Në një këndvështrim gjuhësor emrin Lushnjë e hasim në veprën e gjuhëtarit tone të njohur, Eqerem Çabej, në trajtimin e prapashtesave –nje, -një: Këtë prapashtesë e gjejmë në disa emra, më të shumtën nga sfera e bimëve, duke iu ngjitur fjalës rrënjë drejt për së drejti, ose duke iu hequr mbaresa kësaj, p.sh. bornjë(borigë), dushnje(dushk), frashnje(freshen), ilnje(il-qe), leshnje(lesh), myshnje(myshk), shelnje(shelk), ulnje(ulzë), verrnjë(verr,verri),. Khs. dhe pal-nje. Në Arbënesh të Dalmacisë –një formon shumësin: gardhnje, rushnje etj.
Te zgropnjë (grope) kemi një formë me parashtesë –z e me prapashtesë –një. Një element fundor –një, por burimesh të ndryshme, gjejmë në disa fjalë jashtë sferës së bimësisë, p.sh. drenjë, foshnjë, enjë a ënjë, finjë, linjë(li-ni), shinjë (resina), thinjë, mëllenjë, zonjë (zot-një te Budi). Këtu duket të hyjë dhe emri topik Lushnje.
Mbi funksionin e kësaj prapashtese ka mendime të ndryshme nga gjuhëtarët, megjithatë po të vëmë re ajo iu bashkëngjitet emrave femërorë siç pamë më lart. Po të heqim prapashtesën –një nga emri Lushnjë, kemi një fjalë rrënjë Lush-, e cila vetë mund të jetë rrjedhojë nga ndonjë los, lysh-ter, apo dhe lus duke qenë se në shqip është i njohur shndërrimi s:tj (lutje~lus). Ndonëse fonetikisht mund të qëndrojë kjo mundësi, nevojiten fakte që të mund të mbështesim fjalën rrënjë lus (lutje), pra të kemi dijeni për praninë e ndonjë objekti që lidhet me sferën e religjionit. Në fakt e kemi praninë e një bazilike të hershme. Në vitin 2003, Instituti i Arkeologjisë me qendër në Tiranë, zbuloi gjurmët e një bazilike (shek IV-VI m.kr), e cila mund t’i ketë shërbyer një komuniteti të vogël, që mendohet se banonte këtu shumë më para se të formohej fshati dhe më pas qyteti i Lushnjës, i cili përmendet për herë të parë në vitin 1431, kur u bë edhe regjistrimi i popullsisë së Myzeqesë nga perandoria osmane. Në atë kohë Lushnja(Lusnia) kishte vetëm 15 shtëpi dhe rreth 100 banorë.
Rikthehemi te marrëdhënia e toponimit me karakteristikat e terrenit, duke pare si fillim fjalën luz,luzhi. Del si toponim në Kavajë, Luz; në Dibër, Luzni etj. Del dhe si emër familjeje në Gjakovë, Luzha. A. Xhuvani e merr për fjalë shqipe e afërt me lëgatë.
Një afri e luzhi-së me lëgatë, përjashtohet sepse në shqip nuk ka një ndërrim g:zh (të paktën në fjalët e fondit autokton).
Duke iu larguar mundësisë së ndikimit sllav te emri Lushnje, sepse luzhi kufizohet vetëm në gegërisht, përpos dhe argumentit fonetik që cituam më lartë, kemi ngushtuar kështu terrenin e hulumtimit dhe jemi shtyrë përsëri deri në kufijtë e periudhës kur në Shqipëri mbinë toponimet sllave (në periudhën e sundimit bullgar shek. IX-XII). Pa pretenduar që kemi shteruar çdo rast, por duke pare vendndodhjen e qytetit të Lushnjës, i cili në fakt është në rrëzë të kodrës dhe pranë përrenjve, të cilët zbresin nga kodrat, duke u përhapur në fushë, shohim që fjala lysh-tër (lymi që lë uji pasi largohet), kënaq disa kushte. Është i pranueshëm fonetikisht, morfologjikisht, dhe justifikon lidhjen e toponimit me karakteristikat e terrenit. Ndërrimi y:u është i pranuar në gjuhën shqipe.
Nëse do të kishim një burim të sigurt të ngulimeve të para të këtij vendbanimi, do ta kishim më të lehtë për të dale në një përfundim të prerë. Nga ana tjetër fjala lysh-tër është një nga rrjedhojat e fjalës lyej, shumë produktive në gjuhën shqipe, dhe e fondit autokton të saj.
Një rast tjetër interesant në ndihmë të çështjes sonë, është dhe fjala los, e mbledhur në krahinën e Beratit nga Kristoforidhi. Los~vent pljot bar te ngatërruare, zura nje ljepur ndë los. Duke marrë parasysh funksionin femërorizues të prapashtesës –nje, dhe një tipar që terreni faktikisht e shfaq (bari), kjo fjalë duhet parë si një mundësi tjetër e origjinës së emrit të qytetit (los-nje, o~u, s~sh, Lushnje). Nuk mund të vendosim pra përfundimisht pa një hulumtim në disa drejtime të tjera (mundësia e një huazimi nga latinishtja, greqishtja, apo raporti me toponimet që kufizojnë me qytetin).
Pra siç thamë më lartë fjala los duhet konsideruar si një variant i mundshëm i rrënjës së fjalës Lushnjë, duke parë përbërjen fonetike të saj si dhe karakteristikat e terrenit, por këtu kemi të bëjmë me një emër topik, dhe cilësia si një “vend me bar të gjatë” është shumë e përgjithshme dhe nuk mund të kënaqë qëllim tonë në mënyrë të argumentuar. Gërmimet arkeologjike duhet të thonë fjalën e fundit sepse ka dhe raste që për rrethana të ndryshme, toponimet emigrojnë.
Nga ana tjetër në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, fjalën Lyshtër, përveç kuptimit të parë: 1. Balta, zalli, rëra etj. që sjellin lumenjtë a përrenjtë, dhe lënë gjatë rrjedhës së tyre, lymërishtë…; kemi dhe një kuptim të dytë : 2. Vend i pjerrët në faqe të malit ku shket dheu e bien gurët, rrëzomë, lyshtër mali. Pra dhe rrënja Lysh- nuk mund të na bindë plotësisht në përsiatjen tonë, për aq kohë sa arkeologjia apo historia nuk e mbështesin me fakte konkrete këtë çështje.
Gjuhësia, e vetme, mund ta shohë si një mundësi këtë variant, por kurrsesi nuk është dobiprurëse që të mbyllë rrugët e tjera. Nëse hedhim një vështrim në shkrimet e autorëve antikë, bazuar në një qëndrim përzgjedhës, duke parë afritë në strukturën fonetike, na tërheq vëmendjen emri i qytetit LUSSONION cituar nga Ptolomeu në librin e tij “Gjeografia”. Midis të tjerave ku autor përmend dhe LOPSIKA. Emri i këtij vendbanimi lidhet me fisin ilir të Lopsëve. Njëkohësisht informacione të tjera dalin në vazhdimësi në lidhje më këtë çështje si toponimi LUSSINO nga LOPSIKA (LOPSINI>LOSS>LOSSIN>LUSSIN).
Justini në veprën “Epitoma Historia Rum Philippiccarum Pompei Trogi” (Përmbledhje e historisë së Filipit të Pompeit Trovi), përmend AD NOVAS, që mendohet të jetë në fshatin Sulzotaj (Lushnjë) dhe Marusio (Golemi i Lushnjës). Dihet që Marusio në antikitet (Golemi sot) gjendet shumë pranë qytetit të Lushnjës. Në lidhje me këtë të fundit hulumtuesit Peter Dawson, Linda White, Andrea Dawson, janë shprehur mbi mundësinë e identifikimit të Lushnjës (Marusio në lashtësi dhe Lusnie në mesjetë).
Mund të themi që është dëshmuar një vendbanim me emrin Marusio, mbështetur kjo në disa gjetje arkeologjike pikërisht pranë Golemit të sotëm.
Ndërsa argumenti që largon Lushnjen nga Marusio i lashtë, do ta trajtojmë më poshtë kur të merremi në veçanti me këtë çështje. Lushnja përmendet gjithashtu në shënimet e Eduart Lir gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri. Autori tregon se gjatë vizitës në Shqipëri ndaloi në Leustri ( kështu e njihte ai ), e cila nga vendasit njihej me emrin Lusna. Kuptohet që ky rast duhet marrë me rezervë se autori në fjalë nuk kishte parësore pikëpamjen e një trajtimi gjuhësor të toponimeve, por thjesht identifikimin e tyre për interesa të tjera. Pasi u përpoqëm të kemi një qasje të mirëpeshuar me të gjitha rastet që mundet të përfshijmë në këtë çështje, duhet të pranojmë se as te fjala “Los”, as te “Lyshtër”, apo në të gjitha mundësitë që shqyrtuam nuk mund të bashkojmë dot aq fakte sa të flasim me bindje se gjithsecila nga ato na e zgjidh problemin tonë.
Mbetet prapë përfundimisht shqyrtimi i fjalës Lus(lutje)si një mundësi zgjidhjeje, gjithmonë brenda kufijve të këndvështrimit dhe trajtesës sonë.
Në fushën e arkeologjisë, dëshmia për praninë e një bazilike të hershme shek IV-VI m. K.r mbështet qëndrimin tonë për praninë e një objekti “vend lutjesh”. Kjo gjë përforcohet më tej me zbulimin e enëve të përdorimit të përditshëm dhe praninë e varreve shumë afër vendit ku mendohet të ketë qenë bazilika. Pra një gjë është e qartë, kemi të bëjmë me një vendbanim. (Nuk shkon për shtat pra njësimi i Marusio~Lushnjë).
Ajo që na shtyn të mendojmë se emri Lushnjë vjen nga një Lus-një është struktura fonetike e fjalës dhe prania e një objekti kulti. Nga pikëpamja morfologjike dhe semantike kjo fjalë nuk është e pavend në gjuhën shqipe. Gjuhëtari i njohur A. Xhuvani në shqyrtim të disa fjalëve të formuara nga Papa Kristo Negovani, merr në konsideratë një frazë: Lutënia përaitoj tetë orë. Pasi e quan jo të drejtë përdorimin e verbit përaitoj, ai shprehet: Prapo dritëpasti auktor mund të thoshte: Lutënia mbajti tetë orë.
Pra Xhuvanin e shqetëson ndërtimi përaitoj dhe e merr për të mirëqenë fjalën lutënia. Natyrshëm lind pyetja: Po vetë fjala lus (lut-je)çfarë historie dhe origjine ka?
E. Çabej merr në shqyrtim fjalën lum(i lumtur) dhe midis varianteve të ndryshme të funksionit të saj shprehet: “Këto dëshmi bashkë me përdorimin e sotëm, ku i lumi, e lumja janë shpesh atribut i shenjtorëve, tregojnë se kjo fjalë, përveç kuptimit profan të lumturisë përmban dhe iden fetare të gëzimit qiellor pas vdekjes. Me këtë kuptim ajo afrohet me shenjtë e lat. Sanctus dhe i përgjigjet gr. Μακαριος, përkthimit të saj latin Beautus, got. Andaks, gjerm. Selig, etj…shqip i Lumi “zotin”; e m’anë tjetër dhe Lumja,emër i një are pjellore; lat. felix “pjellor”e “i lumtur”.
Nga këto të dhëna” i lum’del qartë si një fjalë vendi e gjuhës kishtare, një nga të paktat fjalë shqipe të kësaj sfere; morfologjikisht si një zgjerim me –m i verbit lut-m që “e lusin””e kremtojnë”.
Në lidhje me përdorimin e saj gjuhëtari i njohur shton: Nga sfera kishtare fjala kaloi në përdorimin profan,i cili mbizotëron sot në gjuhë.
Më lart thamë që lus pranohet fonetikisht, sepse në shqip njihet shndërrimi s:tj (lutje~lus,pritje~pres). Duke marrë me radhë, strukturën fonetike dhe morfologjike të fjalës lus(lut-je),funksionin semantik të saj, mbështetur dhe në dëshmitë arkeologjike mbi praninë e një vendi kulti, faktet për praninë e një vendbanimi pranë saj, na bëjnë të mendojmë që kjo fjalë justifikon rrënjën e toponomit Lushnje ( Lus-nie, s~sh, lus~lush, nye=nie~nje>Lushnje).
INFO
–Në vitin 1920 u zhvillua “Kongresi i Lushnjës” ku u mblodhën të gjithë politikanet shqiptare dhe zgjodhën Tiranen si Kryeqytet i Shqipërisë. Ky Kongres u zhvillua ne shtëpinë që sot mban emrin Shtëpia e Kongresit te Lushnjës. Kjo shtepi është ne muzeum ne qytetin e Lushnjës.
-Lushnja gjendet ne perëndim te Shqipërisë, pikërisht ne te ashtuquajturën Ultësira Perendimore. Karakterizohet nga një reliev i bute, me pjesën dërrmuese te sipërfaqes te zëne nga fusha dhe kodra te buta. Lushnja ka një pozicion te favorshëm gjeografik duke qene një udhëkryq shume i rëndësishëm, afër me portet kryesore te vendit, si dhe aeroportin e vetëm të vendit.
-Në Lushnjë kanë lindur dhe janë rritur artistikisht shumë personalitete të kulturës shqiptare. Në fushën e dramaturgjisë përmenden veçanërisht dramaturgu Loni Papa, aktorja Margarita Xhepa, si dhe aktori-regjisor, Gjergji Lala(tani gjendet në Itali dhe vazhdon të punojë si actor). Lushnja është vendlindja e këngëtares më të madhe shqiptare të të gjitha koherave, Vaçe Zela.
-Brezi më i rëndësishëm i poetëve të sotëm të Lushnjës përfaqësohet nga emra shumë të përmendur shkrimtarësh që janë bërë të njohur e të vlerësuar lart nga kritika jashtë Shqipërisë si : Shpendi Sollaku, Jozef Radi e Gëzim Hajdari në Itali, Ferdinand Laholli në Gjermani, Gazmend Kapllani në Greqi.
(Muharrem Sharka – Telegrafi.al)