Reklame:

25 vjetori i themelimit te qytetit te Divjakes

Qyteti i Divjakes diten e djeshme festoi edhe 25 vjetorin e themelimit. Në vitin 1995 me dekret të Presidentit të Shqipërisë Z.Sali Berisha, Divjaka mori statusin e qytetit dhe prej kësaj kohe është qendra e një bashkie e cila ka nën administrim disa fshatra

25-Vjetori i themelimit të qytetit të Divjakës mblodhi bashkë në një aktivitet sportiv në sheshin qëndror të qytetit, shkollat e mesme të bashkisë, shkollën 9-vjecare “Koli Sako”, ekipin e volejbollit të qytetit të Divjakës si dhe ekipin e volejbollit të qytetit të Kuçovës të cilët bënë një ndeshje volejbolli simbolike.

Bashkia e Divjakës është nga të paktat bashki të krijuara nga reforma administrative dhe territoriale e cila përbëhet pothuajse tërësisht nga zona rurale. Bashkia e re ka një shtrirje veri-jug ndërkohë që rrugët janë më së shumti në drejtimin lindje-perëndim dhe lidhja rrugore mes qytetit të Divjakës dhe komunave Gradishtë e Rremas është e dobët.

Bashkia e re ndodhet në një zonë tërësisht rurale dhe pjellore, ndërkohë që pjesë e territorit të kësaj bashkie është edhe parku kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe plazhi i Divjakës.

Bashkia e re ka aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe në një masë më të vogël peshkimin në lagunën e Karavastasë. Prodhimi kryesor bujqësor janë bostanoret, të cilat shiten në tregun e brendshëm si dhe eksportohen në shumë vende të Europës qendrore dhe lindore.

Divjaka ka perspektivë të mirë për zhvillimin e turizmit detar si dhe ekoturizmit. Gjatë viteve të fundit këtu është shfaqur turizmi i vrojtimit të zogjve për shkak të pranisë së një kolonie të vogël pelikanësh në zhdukje në lagunën e Karavastasë.

Turizmi është zhvilluar më së shumti për turistët ditorë dhe kulinaria është e përqendruar te prodhimet e peshkut, për të cilat zona është e famshme në të gjithë vendin.

 

Gjithashtu, Divjaka ka një jetë artistike dhe kulturore që shumë qytete do ia kishin zili. Këtu funksionon më së miri grupi artistik i qytetit, me djem dhe vajza valltarë, të cilët përfaqësojnë Divjakën në aktivitete të ndryshme kulturore.  Po ashtu edhe sporti është në nivele mjaft të mira, ku duhet të përmendim që ekipi i volejbollit për femra është mjaft mirë i përfaqësuar në aktivitete brenda dhe jashtë vendit.

Kjo bashki përbëhet nga 5 njësi administrative, të cilat janë: Divjakë, Tërbuf, Grabjan, Gradisht dhe Remas. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Lushnjes dhe qarkut Fier. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 36 fshatra.