Kafshët e egra dhe sidomos lepuri i egër (Lepus europaeus) u shkaktojnë shumë dëme fidanëve të rinj të të gjitha frutave dhe sidomos mollës. Në periudhën e dimrit, kur ka dëborë sidomos kur krijohet lëvorja e fortë, lepuri i arrin me lehtësi degët e ulëta, por edhe ato të larta dhe i dëmton në një masë të konsiderueshme. Nëse dëmtimet janë të lëmuara kjo do të thotë se ato i ka shkaktuar lepuri. Pemishtja duhet të mbrohet nga kafshët e këqija.
Një prej mënyrave më të sigurta, që njëkohësisht është edhe më e shtrenjta, është vendosja e gardhit në pemishte me rrjetë teli. Mund të mbrohen edhe fidanët duke i mbështjellë me rrjetë teli, me lenta plastike të perforcuara, kashtë, me mbeturinat bimore të misrit, me dega shelgu etj. Por nga ana tjetër, mbështjellja e trungjeve e kashtë dhe mbetje bimësh si misri e të tjera i tërheq minjtë.
Lepujt shkaktojnë dëme nga fundi i dimrit.
Degët e hequra nga krasitja duhet të vendosen në vende të përshtatshme dhe që mund të gjenden lehtë që lepujt të ushqehen me to. Për mbrojtjen e pemëve të mollës nga lepujt përdoren mjete me aromë të keqe të cilat i largojnë kafshët e egra. Të tilla janë gjak kafshësh, përzierje të ndryshme me vajra dhe materie të tjera me aromë të keqe. Këto mjet përdoren në vjeshtë, trajnimi përsëritet edhe gjatë dimrit. Dëme më të mëdha lepujt i shkaktojnë nëse dimri është me dëborë të madhe dhe kur nuk kanë ku të gjejnë ushqim tjetër.
Rezultate të mira jep dhe lyerja me gëlqere e trungjeve.
Lyerja me gëlqere kryhet në vjeshtën e hershme dhe duhet të përsëritet gjatë dimrit kur temperatura e ajrit është mbi 5 gradeC. Mbrojtja më e sigurt prej lepujve arrihet me mbështjelljen e fidanëve me letër rezistente ndaj ujit ose me materiale të përshtatshme. Lyerja e trungjeve me sallo nuk rekomandohet sepse shkakton tharje të bimës.
Lepujt e dëmtojnë pemën duke e ngrënë lëkurën e trungut dhe të degëve dhe duke dëmtuar kështu edhe sythat e luleve. Sorkadhja ushqehet me pemët njëvjeçare që rriten në verë të cilat mund t’i dëmtojnë deri në bazë. Kështu, duke u kruar me brirët e dëmtojnë lëkurën, kurse shpesh ndodh që t’i thyejnë edhe fidanët.
Ripërtëritja e fidanëve të dëmtuar nga kafshët e egra është e vështirë, kurse ndonjëherë edhe pa sukses sepse varet nga shkalla e dëmit dhe vendi ku është dëmtuar trungu. Nëse dëmet janë më të vogla, mjafton që lekura të lyhet me dyllë kalemi ose fitobalsam, kështu lekura e dëmtuar do të ripërtërihet. Nëse lekura është dëmtuar rreth të gjithë trungut në formë unaze, në gjatësi prej disa centimetrash, në këtë rast nuk mund të ripërtërihet dhe pemët e tilla do të thahen dhe duhet të zëvendësohen me pemë të reja.
Në rajonet ku ekziston rreziku nga lepujt dhe sorkadhet, duhet të mbrohen veçanërisht pemët e reja nëse nuk janë me gardh. Mbrojtja, kryesisht kryhet mekanikisht, kurse në një pjesë të vogël edhe kimikisht. Më mirë do të jetë që kopshti të ketë gardh me tel të thurur dhe nëse në rajon ka shumë sorkadhe duhet të vendoset një radhë tel me gjemba. Shtyllat dhe telat ndërmjet tyre duhet të jenë të vendosura fort, që të pengohet futja e lepujve. Gjatë dimrit kryhet vazhdimisht kontroll dhe nëse shihen gjurmë të kafshëve të egra, vendi ku futen ato të sigurohet menjëherë. Kjo është mënyra më e shtrenjtë e mbrojtjes. Më i lirë është gardhimi me folie PVC.
Edhe këtu duhet t’i kushtohet vëmendje sigurimit të bazës së gardhit dhe kontroll të saj sepse stabiliteti i gardhit të tillë në raport me erërat e forta dhe prurjet e shirave nuk është kaq i mirë si tek gardhi me tel të thurur. Ngjyra e zezë dhe mostejdukshmëria e gardhit nga folia PVC e pengon kontaktin vizual. Një mënyrë e mirë që të mbrohen pemët nga lepujt është mbështjellja
e trungjeve me rrjetë plastike. Këto rrjeta mund të jenë speciale vetëm për këtë punë. Ato janë elastike dhe mund të mbështillen lehtë rreth trungut, janë afatgjate dhe mund të përdoren për më tepër vjet. Për këtë qëllim mund të përdoren edhe rrjetat plastike që përdoren në ndërtim.
Ato duhet të priten në lenta dhe të përforcohen në tri vende. Njëjtë veprohet edhe me lentat e letrës natron, e cila mbështillet rreth pemës dhe përforcohen që të mos grisen nga erërat. Në pranverë lentat e letrës hiqen kurse ato plastiket mund të qëndrojnë ose përsëri i zbresim pak më poshtë që degët e reja të zhvillohen nga sythat të cilat janë mbuluar me rrjetën. Trungjet e mbështjellë në këtë mënyrë janë njëkohësisht të mbrojtur edhe nga temperaturat e ulëta. Nuk rekomandohet përdorimi i fleteve polietilike dhe materialeve të tjera plastike, sepse poshtë tyre ndodh kondensimi i ujit.
Mbrojtja më e sigurt nga lepujt shtë kombinimi i masave mekanike dhe kimike.
Trungu duhet të mbrohet me rrjetë, kurse degët duhet të lyhen me preparate kimike si për shembull: solucion prej gjakut të kafshës dhe jashtëqitjes së kafshëve, me gëlqere etj. (degët nuk duhet të lyhen me sallo sepse kështu mbyllen sythat e gjetheve. Mund të përdoret vaj peshku dhe materie të tjera të yndyrshme të cilat merren nga kafshët. Me vaj peshku nuk lyhen trungu dhe degët por përdoren shkopinj të lyer të cilët lidhen pas trungut.
Ekzistojnë edhe preparate për spërkatje dhe lyerje të trungut dhe degëve. Një preparat i tillë është KUNILENTI i cili si bazë ka vajin e peshkut.
Ky preparat nuk rekomandohet te fidanët dhe pemishtet e reja ku janë përdorur desikatorë (mjete për heqje të parakohshme të gjetheve), sepse gjatë dimrit vështirësohet degëzimi i tyre dhe mund të shkaktojë tharje të lekures, madje edhe të të gjithë pemës. Lyerja e trungut dhe degëve duhet të bëhet në kohë të thatë kur temperatura është mbi 10°С.