Reklame:

Laboti bardhe

Specia: Atriplex hortense Alef.

Përhapja: Laboti me gjethe të gjelbër gjendet në florën e egër, kurse ai me gjethe ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë nuk gjendet. Është specie e rrallë e kultivuar në zonë.

Kushtet e kultivimit:
Mbillet në ngastra tarracore të sheshta, me ekspozicion nga dielli, toka të thella e të pasura me lëndë organike, dhe me mundësi ujitjeje.

Përshkrimi:

Gjendet në dy forma:
a) laboti i gjelbër (Atriplex hortense ssp.viridis Alef.), formon kërcell të fortë e të qëndrueshëm; gjethe të gjata e të ngushta, me ngjyrë të gjelbër e deri gjelbër të errët. Tek kjo formë bimore gjethet vilen duar-duar kur ato kanë arritur madhësinë dhe pjekurinë karakteristike.

b) Laboti i verdhë(Atriplex hortense ssp.lutens Alef.), që formon kërcell të brishtë e gjethe të gjera, me ngjyrë të gjelbër të çelët e deri në të verdhë, tepër të shijshme në ngrënie. Vjelja e kësaj forme bëhet me shkulje të bimës, kur ajo ka lartësi 20-30 cm dhe masë gjethore të plotë e të butë. Kjo është forma më e përshtatshme për kultivim në fushë të hapur.

Kultivimi:
Mbjellja e labotit të gjelbër bëhet në fund të muajit prill, vjelja fillon fund të qershorit dhe vazhdon deri në tetor. Laboti i verdhë mbillet duar-duar, gjatë periudhës mars-tetor. Prodhimi vjen për tu vjelë 50-65 ditë pas mbirjes farës.

Teknologjia:
Pas përgatitjes së mirë të tokës, mbillen farërat në brazdat e hapura me shatë. Mbjellja e farës bëhet me dorë, në rreshta me largësi 25-30 cm dhe thellësi 1,5 – 2,0 cm; sasia e farës së nevojshme është 0.5 -1,0 kg /dynym. Kryhen ujitje, plehërime dhe prashitje e bimëve në mes rreshta.

Rendimenti:
rreth 7-10 kv/dynym.

Veçantitë:

Pozitive: Ka qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve, temperaturave të ulëta dhe të larta.
Jep prodhim të mirë e të qëndrueshëm.
Negative: Nuk ka.

Përdorimi:
Preferohet për konsum të freskët në familje dhe për tregun lokal.

Risku:
Laboti gjelbër nuk ka rrezik zhdukjeje, sepse gjendet edhe në florën spontane; kurse i verdhi rrezikohet pasi është i kultivuar dhe vilet me shkulje të bimës.