Reklame:

NASA konfirmon renie te ndotjes se ajrit ne Kine pas perhapjes se koronavirusit

Rënia e aktivitetit ekonomik në Kinë tani është e dukshme nga hapësira. Shumë ekspertë kanë vënë re një ulje të emetimeve të gazit në Kinë, por satelitët e agjencisë Europiane të Kopernikut kanë regjistruar një rënie të pazakontë të niveleve të dioksidit të azotit. Të dhënat u mblodhën nga ekipi i vëzhgimit tokësor i NASA-s.

Në mes të periudhës së festave të Vitit të Ri Kinez, ishte e vështirë të dihej nëse ishte një ulje e lidhur me kufizimet e epidemisë së koronavirusit apo thjesht “armëpushimit” të veprimtarisë së festave.

Faktori meteorologjik ka shumë ndikim në përqendrimet e këtyre gazrave. Për ta shmangur atë sa më shumë që të jetë e mundur, ekspertët kanë matur kohën për një periudhë më të gjatë se dy javësh.

“Gjithmonë ka një ngadalësim të përgjithshëm në këtë kohë të vitit,” shpjegoi Barry Lefer, një shkencëtar i cilësisë së ajrit në NASA. “Të dhënat tona të gjata të monitorimit të Ozonit na lejojnë të shohim nëse këto sasi janë anormale dhe pse”.

“Kjo është hera e parë që kam parë një rënie kaq dramatike në një zonë kaq të madhe për një ngjarje specifike,” tha Fei Liu, një studiues për cilësinë e ajrit në Qendrën e Fluturimit Hapësinor Goddard të NASA-s.

Ekspertët kanë krahasuar gjendjen atmosferike të kësaj periudhe me vitet më parë dhe me rastet e tjera të rëndësishme të viteve më parë dhe vihet re se ulja e emetimeve në ajër ka qenë më e theksuar dhe ka zgjatur më gjatë. (Euronews)