Pandemia e koronavirusit që ka prekur edhe Shqipërinë ka nisur të japë efektet e para. Që prej fillimit të zbatimit të masave kufizuese që shërbejnë për parandalimin e përhapjes së Covid-19 në popullatë, është vërejtur një rritje e çmimeve të produkteve ushqimore, sidomos frutave dhe perimeve.
Sipas ekspertit për bujqësinë, Ervin Resuli, përtej abuzimit, është e pamundur të mbushim tregjet sot, duke qenë në një karantinë të tillë. “Fermerët e kanë të pamundur që në këtë një javë të lëvizin në drejtim të tregjeve apo pikave të grumbullimit. Kjo ka sjellë pakësimin e produktit në tregje dhe normalisht edhe abuzimin me çmimin”, tha ai, përmes një lidhjeje me Skype në A2 Business Week.
Tregtarët e pakicës thonë se kanë ruajtur normën e fitimit, duke ia lënë “barrën” e rritjes së çmimit, sidomos te agrumet, pjesës tjetër të zinxhirit. “Sa i përket pjesës së agrumeve, nuk ka mjaftueshëm prodhim vendas dhe kjo ka rritur importet nga Greqia. Nëse në kushte normale, fermerët të gjithë çonin produktet në drejtim të pikave të grumbullimit, tani shkon pika e grumbullimit që mbledh produktin në ferma dhe kjo rrit koston. Kemi edhe reduktim të fermerëve për të dalë në punë, në tokat apo fermat e tyre”, shpjegoi Resuli.
Ai tha se kjo situatë mund të marrë zgjidhje shumë lehtë, sikurse e ka bërë Kosova, që gjithashtu ka vendosur kufizime të ngjashme me Shqipërinë. “Kosova e ka zgjidhur me një urdhër specifik, që lejon fermerët të kenë mundësi, edhe pa autorizim, të çojnë produktet në tregjet e rretheve apo pikat e grumbullimit”, tha ai. (A2)