Reklame:

DW: A do te shkaktoje virusi COVID-19 nje vale te nacionalizmit ushqimor?

Disa eksportues të grurit, duke përfshirë Rusinë dhe Kazakistanin, po marrin një kthesë nacionaliste duke kufizuar ose planifikuar të kufizojnë eksportet për të siguruar furnizime të mjaftueshme për popullsinë e tyre. Kjo kur COVID-19 vazhdon të prishë rrjedhat e tregtisë dhe mban të bllokuar më shumë se 2.5 miliardë njerëz.

Kufizimet e eksportit ndërmerren në sfondin e blerjes në panik, që i ka lënë supermarketer me rafte të zbrazëta, jo për shkak të mungesës së furnizimeve, por pengesave logjistike të krijuara nga masat për të frenuar pandeminë.

Ekspertët druhen se kufizimet në eksportet e grurit dhe miellit të grurit mund të çojnë në çmime më të larta të artikujve bazë si buka, duke rezultuar vdekjeprurëse për shumë nga vendet më të varfra në Afrikë, që mbështeten në ushqimin e importuar. Çmimet e larta të bukës dihet se kanë shkaktuar trazira dhe kanë shkaktuar paqëndrueshmëri politike, veçanërisht në Afrikë.

Më poshtë është një listë e vendeve që kanë frenuar ose janë në procesin e frenimit të eksporteve të produkteve ushqimore bazë për të siguruar furnizime të qëndrueshme për shtetasit e tyre, pasi po vazhdon përhapjen pandemia e virusit Corona.

Serbia
Ky shtet i Evropës Lindore ka ndaluar eksportin e vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera, si masë paraprake.

Rusia
Eksportuesi më i madh në botë i grurit dëshiron të kufizojë eksportet e grurit për të mbrojtur furnizimin brenda vendit, pasi pandemia e virusit Corona po ndikon në zinxhirët e furnizimit në të gjithë globin. Ministria ruse e Bujqësisë ka propozuar të kufizojë eksportet e disa drithërave, përfshirë grurin, në 7 milionë tonë për muajt prill-qershor.

Në një kohë kur ky propozim, i cili duhet të nënshkruhet nga kabineti, është në përputhje me fundin e sezonit, kjo ka ngjallur shqetësime te tregtarët se Moska mund të vendosë kufizime të mëtejshme për eksporte, siç ka bërë në të kaluarën për t’u përballur me çmime të larta të grurit në vend ose me korrje të dobëta.

“Është një gjest simbolik, por shqetësues,” i tha një tregtar evropian Reutersit.

“A është ky një hap i parë në përpjekjen për të ulur eksportet, për të ruajtur furnizimet e veta ushqimore të Rusisë, në kohën e virusit Corona? Ky është shqetësimi.”

Ukraina
Në fqinjën e Rusisë, në Ukrainë, një eksportuese e madhe e grurit dhe e vajrave vegjetalë, qeveria po monitoron eksportet e grurit çdo ditë dhe ka thënë se do të marrë masa të përshtatshme, nëse kërkohet. Qeveria e Kievit është përballur me kërkesa nga furrat e bukës për të frenuar eksportet e grurit dhe për të parandaluar që çmimet e bukës të rriten, po të përkeqësohet kriza e virusit Corona.

Kazakistani
Kazakistani ka ndaluar eksportet e miellit të grurit, hejdës, sheqerit, vajit të lulediellit dhe të disa perimeve, përfshirë karrotat dhe patatet, të paktën deri më 15 prill, ndërsa kërkon të krijojë stoqe për t’u marrë me emergjencën e virusit Corona. Ky vendi i Azisë Qendrore, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të miellit të grurit, është një furnizues vendimtar për shtetet siç janë Uzbekistani dhe Afganistani. Ndalimi i miellit të grurit mund të prekë kompanitë e bukës në të gjithë botën.

Vietnami
Ky vend i Azisë Juglindore, i cili deri tani ka arritur të kufizojë përhapjen e virusit Corona, javën e kaluar pezulloi përkohësisht kontratat e reja të eksportit të orizit. Eksportuesi i tretë më i madh në botë i orizit tha se po shqyrtonte nëse kishte furnizime të mjaftueshme në vend për të përballuar pandeminë. Filipinet, Kina dhe vendet e Afrikës janë ndër blerësit më të mëdhenj të orizit të Vietnamit.

Kjo veprim nga Vietnami ka tërhequr shumë vëmendje në tregun ndërkombëtar, tha një tregtar evropian i orizit për agjencinë e lajmeve Reuters. “Nëse vendet eksportuese të ushqimeve fillojnë të kufizojnë furnizimet për të siguruar nevojat e tyre ushqimore, ky do të ishte shqetësim shumë i madh.” (DW)