Shija karakteristike e vishnjës përcaktohet nga raporti i sheqernave (6 deri 21 gr) dhe i acideve organike (0.7-2.9. gr).
Megjithëse nuk shkëlqen për vitaminën C, Vishnja është e pasur me disa vitamina që janë pak a shumë deficitare në racionin ushqimor si vitamina B2 dhe sidomos acidi folik.
Përqindja e vitaminës B2 rritet në qoftë se fruta mblidhet 10 ditë pas pjekjes së plotë. Qershia vishnje përmban karotinë dhe vitamine P me shumicë (300 g frutë e freskët sigurojnë nevojat ditore të vit. P), kjo vitaminë përmirëson veprimtarinë dhe normalizon depërtueshmërinë e enëve të gjakut. Sidomos të atyre të imëta (arteriole e kapilare).
Në tulin e Vishnjës gjenden edhe substanca të tjera si inoziti, antocionet dhe acidi klorogjenik, kumarinat dhe oksikumarinat.
Inoziti që gjendet shumë rrallë në frutat e tjera dhe acidi klorogjenik i Vishnjës njihen si rregullues të veprimtarisë së mëlçisë e veshkave, pra kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit të këtyre organeve esenciale për organizmin.
Antocionet, që shërbejnë për ruajtjen e forcimin e elasticitetit dhe integritetit të kapilarëve janë shpërndarë në të gjithë tulin e frutit, prandaj përvetësohen me lehtësi. Në frutat e tjera, p.sh: në rrushin e zi, antocianet janë përqendruar në lëkurë, e cila tretet me vështirësi, prandaj organizmi përvetëson një sasi të vogël të tyre. Vlen të përmendet se sa më e errët të jetë ngjyra e vishnjës, aq më e pasur është fruta me antociane.
Por ende më interesante e të vlefshme nga ana shëndetësore janë kumarina dhe oksikumarinat (0.3 deri 3.4 mg për 100 g Vishnja). Këto lëndë kanë veti antagoniste me vit. K, vitamina e koagulimit të gjakut. Për rrjedhojë e mbajnë gjakun në një gjendje hollimi të përshtatshëm duke penguar formimin e mikrotrombeve në enë të gjakut në përgjithësi dhe në ato koronare (që ushqejnë zemrën) e të trurit në veçanti.
Për këto arsye Vishnja përbën një faktor natyror për parandalimin e çrregullimeve të qarkullimit të gjakut. Crregullime që mund të çojnë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare (iskemia e zemrës), në iskeminë e trurit. Gjithashtu është e dobishme pas infarkteve të zemrës dhe goditjeve hemorragjike relativisht të lehta të trurit.
Vishnja përmban mjaft kalium, magnez, bakër e jod, ky i fundit jep një ndihmesë të çmueshme në parandalimin e arterosklerozës. Përmban deri 3 mg hekur që së bashku me acidin folik ndihmon në formimin e eritrociteve dhe të hemoglobinës; pra ka veti antianemike. Ndersa për ata që kanë çrregullime në gypin tretës (ulçer, kolit, gastrit) këshillohet përdorimi 1 lëngut të vishnjës.