Qeveria ka ndërmarrë disa ndryshime në vendimin për “Pagën e Luftës” duke detajuar kategoritë përfituese. Referuar vendimit, aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të vetëpunësuarit/punësuarit. Vendimi përcakton se individët, të cilët janë në më tepër se një listëpagesë, kur të dy aktivitetet janë të mbyllur si pasojë e masave shtrënguese, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.
Në rastin kur vetëm një prej aktiviteteve rezulton i lejuar, individi, i cili është në më tepër se në një listëpagesë, nuk e përfiton ndihmën financiare të pagës minimale.
Përfituesit e ndihmës financiare janë individët e vetëpunësuar/punësuar në subjektet me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, sipas kategorizimit të mëposhtëm:
a) Personat fizikë të vetëpunësuar;
b) Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;
c) Të punësuarit në personat fizikë tregtarë;
ç) Të punësuarit në personat juridikë.”.
Ndërkohë, në vendim përcaktohet se “nuk përfitojnë ndihmë financiare individët e vetëpunësuar/punësuar, të cilët kanë realizuar për vitin 2019 të ardhura bruto nga paga mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë”
Individët e vetëpunësuar dhe bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, sipas vendimit të qeverisë përfitojnë pagë 26 mijë lekë si mbështetje për kapërcimin e vështirësive të krijuara nga masat parandaluese të përhapjes së COVID-19.