Helmi i gjarprit është i dobishëm. Atë e përdorin për pregatitjen e barnave të ndryshme. Por sasia e këtij helmi është e paktë. Nepërka, p.sh. mund të japë vetëm disa pika të tejdukshme “lëng parajse”, siç quhet.
Helmi i gjarprit mund të shndërrohet në molekula të parrezikshme të cilat mund të kenë ndikime pozitive në shërimin e sëmundjeve si kanceri dhe diabeti, kanë deklaruar shkencëtarët.
Ekipi shkencor britanik-australian ka deklaruar që për herë të parë është dëshmuar që helmi i gjarprit në formë të proteinave të parrezikshme mund të përdoret për shërimin e indit njerëzor.
Helmi i gjarprit zakonisht sulmon rrugët e njëjta fiziologjike, si edhe shumë sëmundje njerëzore, ndërsa shkencëtarët thonë së të kuptuarit e transformimit të molekulave të helmit mund të ndihmojë në zhvillimin e ilaçeve të reja.
Disa lloje të helmit të gjarprit shkatërrojnë qelizat për bartjen e oksigjenit nëpër gjak, duke përfshirë qelizat të cilat ushqejnë tumoret kancerogjene, ndërsa Huttley tha që me mapimin e veprimit të tyre mund të realizohet shërimi më efikas i kancerit.
Iktiologët mendojnë se oqeanet, që zënë dy të tretat e sipërfaqes së planetit tonë, janë në gjendje t’u japin njerëzve lëndë të para farmaceutike të shumëllojshme.
Vetëm një peshk sferë ekzotik, që banon në Oqeanin Paqesor, mund të zëvendësojë qindra e qindra gjarpërinj të rrezikshëm. Kimistët që kanë studjuar strukturën e këtij helmi, theksojnë se nga ai mund të pregatitësh dhjetëra lloje barnash. Kryesisht kundër epilepsisë, migrenës, dobësive të zemrës, etj.
Disa nga këto preparate qarkullojnë në gjak. Ato u jepen njerëzve pas operacioneve shumë të rënda, bashkë me lëndët anestetike. Disa të tjera përdoren për reumatizmat, radikulitet dhe për poliartritet.
Kafshët e detit molusqet e peshqit janë në gjendje t’i pajisin spitalet dhe farmacitë me stimulues të sistemit nervor. Me preparate të ndryshme anestezie, e me barna kundër sëmundjeve të lëkurës.
Helmi biologjik eshte i rralle, si mund te gjenden alternativa zevendesuese?
Përdorimi i gjerë i helmit ka detyruar punonjësit e fanmaceutikës të merren me studimin e faunës dhe të florës së detit. Deri tani rezultatet janë pozitive.
Kohët e fundit te kastravecët e detit janë zbuluar katalizatorë biologjikë. Keto lëndë ulin lodhjen, forcojnë kujtesën, të parin dhe rritin qëndresën e organizmit ndaj të ftohtit.
Disa lëndë antikanceroze filluan t’i kërkojnë në helmin që prodhohet nga gjëndrat e lëkurës së peshqve shkëmborë, në indet e iriqëve të detit dhe në disa leshterikë. Disa specialistë kanë arritur t’i mbivlerësojnë kaq shumë këto lëndë, sa thonë se pikërisht deti do ta ndihmojë njeriun të luftojë kancerin.
Sipas të dhënave të botuara, në Oqeanin Indian ka shumë kafshë, indet e të cilave mund të shërbejnë për të përftuar disa dhjetëra lloje lëndë me veprim hormonal. Fusha e veprimit të tyre është shumë e madhe. Ato mund të përdoren për format e rënda të hipertonisë, astmës bronkiale dhe ulçerës së stomakut. Për alergjinë, mjekimin e plagëve, si dhe kundër infeksioneve të viruseve.
Përsa u përket leshterikëve, numri i barnave të reja që mund të nxjerrim nga ata, është relativisht më i madh, se numri i barnave që sigurohen nga flora e tokës. Në lëngun qelizor të leshterikëve të deteve tropikale ka lëndë të tipit të antibiotikëve, aspirinës, etj . Lëngu i leshterikëve ka edhe vitamina, glukozide, fermente, etj.
Tek bimët e deteve dhe të oqeaneve janë zbuluar përbërës të tillë, që nuk mund të përftohen me rrugë sintetike. Ata nevojiten për mjekimin e gastriteve, të anemisë, sëmundjeve të ndryshme që lidhen me rruazat e bardha të gjakut e të tjera.
Duke u nisur nga leverdia që kanë leshterikët në fushën farmaceutike, në disa vende bëhet një punë kërkimore seleksionuese dhe ka filluar kultivimi i tyre artificial.