Reklame:

COVID-19/ New York nis te marre fryme, Spitalet po i kthehen normalitetit

Shteti i New York-ut duket se po çlirohet nga makthi i koronavirusi duke patur nje numer teper te ule te viktimava diten e sotme. Gjithashtu edhe gjendja e spitaleve po kthehet ne normalitet.
Spitali i përkohshëm i Ushtrisë amerikane në Qendrën Jacob K. Javits në Manhattanin perëndimor është mbyllur të Premten pas trajtimit të afro 1100 pacientëve.
Media e New York-ut e dha lajmin të konfirmuar nga një zëdhënës i Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.
Pacientët e fundit në qendrën spitalore dolën të shëruar ndërsa pjesa e mbetur u transferua në spitalet e tjerë. Në fakt deri të premten në mëngjes atje kishin mbetë rreth 10 pacientë.
Më shumë se 1,094 pacientë u trajtuan në këtë qendër spitalore të përkohshme. Spitali i improvizuar, me 1.000 dhoma në pjesën perëndimore të Manhattanit u hap në fund të marsit.
Pajisjet mjekësore vitale dhe furnizimet e tjera në Javits Center dhe tre objektet e tjera të përfunduara – përfshirë ato në kampuset e Universitetit Stony Brook dhe Universitetit Shtetëror të New York College në Old Westbury në Long Island – do të mbeten në vend, për të qenë të gatshëm për të pritur pacientë në rast se ka një valë të dytë të COVID-19.
Stafi ushtarak në Javits Center është planifikuar të largohet nga Manhattan nga fillimi i javës tjetër.
Spitali fushor i ngritur në Central Park me kapacitet 68 shtretër mund të mbyllet të hënën.
Sinjali tjetër i lehtësimit të qytetit nga makthi i Koronavirusit është dhe përfundimi i misionit nga Spitali lundrues i Marinës, anija Comfort, e cila u largua nga qyteti të enjten, e përcjellë me nderime nga zyrtarët dhe NYPD.
Duket se New Yorku është lehtsuar nga makthi i koronavirusit. Vala e egër Koronovirusit ka kaluar, por beteja nuk ka mbaruar, aq më shumë po të marrim në konsideratë paralajmërimet e rikthimit. Gjithësesi nuk do të jetë si makthi që kaluam. COVID-19 nuk është më fare i panjohur, një përvojë u fitua, pavarësiht kostos së lartë dhe jetëve të humbura. Plagët që shkaktoi do të duhen kohë të mjekohen. Njerëzit e dashur që shkuan,nuk mund të kthehen më. Fatkeqsisht shumë prej tyre ikën pa”Lamtumirë”. Shumë nipër e mbesa mbetën pa gjyshër. Ikën dhe mosha të reja. Jeta e gjithësecilit ka ndryshuar thelbsisht. Njerzit kanë mbetur me trauma në shpirt.
Por nëse “bisha” e padukshme kthehet spitalet dhe personeli mjeksor janë të përgatitur, ventilatorët nuk do të mungojnë, maskat dhe dorshkat gjithashtu. Në pritje të vaksinës, administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe ka miratuar ilaçin kurues që ka rezultuar efektiv në mjekimet e bëra në spitale.
Presidenti Donald Trump deklaroi se udhëheqësi i kompanisë Gilead, ka premtuar se do të dhurojë një milion shishe të ilaçit, remdesivir. Zëvendës Presidenti Pence njoftoi se ilaçi, i cili është krijuar fillimsiht për trajtimin e Ebola-s, do të shpërndahet që të hënën. Ilaçi ka dhënë efekte progressive dhe është eksperimentua në disa spitale në vende të ndryshme të botës.Veprimi i remdesivir zvoglon ditët e shfaqjes së simpotmave të koronavirusit nga 15 në 11…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të prekurit nga COVID-19, me 1 milion 126 mijë 432 të infektuar(Vetëm të Premten u raportuan 31 mijë e 409 të infektuar të rinj), ndërkohë që edhe për viktimat mbanë vendin e parë me 65 mijë e 598 (Gjatë ditës së Premte u raportuan 1 mijë e 742 të vdekur). Edhe për numrin e të shëruarëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë vendin e parë me 160 mijë e 179 të rikuperuar, ashtu siç mbajnë vendin e parë edhe për testimet duke testuar deri tani 6 milion e 668 mijë e 458 persona.

New Yorku nuk mbanë më peshën e rëndë të ditëve të më parshme si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për viktimat ditore. Guvernatori Cuomo u tregua opitmist gjatë konferencës së shtypit të Premten tek përmendi dhe shifrën e ulët të viktimave në 24 orshin e fundit, por ai paralajmëroi se nuk ngutet që t’i japë fund mbylljes së New Yorkut, veçanërisht për Big Apple. Ulja e kurbës, tha ai, e ka burimin edhe tek distancimi dhe mbyllja. Ai sërish deklaroi se distancimi social dhe puna e madhe e ët gjitëhve atyre që e parballuan betejën, kanë bërë të mundur që të mbajnë larg spitaleve rreth 100 mijë njujorkez, të parashikuar se do të prekeshin nga COVID-19.
Gjatë së Premtes guvernatori u mor gjatë edhe me procesin mësimor të këtij viti akademik dhe mbajtjen mbyllë të shkollave.
Guvernatori Cuomo urdhëroi të premten që të gjitha shkollat ​​në New York do të mbeten të mbyllura për pjesën tjetër të vitit akademik dhe paralajmëroi që mësimi tradicional në klasë mund të mos kthehet në kohë për semestrin e vjeshtës, pasi kriza e koronavirusit vazhdon të shkatërrojë shoqërinë.
Duke folur gjatë konferencës së tij të përditshme për COVID-19 në Albany, Cuomo tha se ekipi i tij kishte përcaktuar se nuk ka asnjë mënyrë për të rihapur shkollat ​​para se të përfundojë semestri më 26 qershor.

Po si janë shifrat?
Gjatë ditës së Premte New Yorku regjistroi vetëm 289 viktima(nga 306 të Enjten), duke e çuar shifrën e përgjithshme në 24 mijë e 69, ndërkohë që të infektuarit e rinj e kaluan shifrën 3 mijë, duke regjistruar gjithsej 315 mijë e 222 të infektuar. Fqinji i tij, New Jersey prej dy ditësh regjistron më shumë viktima; sot u raportuan 310 të vdekur(nga 458 të Enjten), ndërkohë që u shënuan 2 mijë e 388 të infektuar të rinj(numri i përgjithshëm është 118 mijë e 652).
Massachusetts regjistroi 157 viktima mes së Enjtes dhe të Premtes, duke e çuar numrin e përgjithshëm të jetëve të humbura në 3 mije 562, Ilinoisi raportoi 140 të vdekur(numri i përgjithshëm i viktimave 2 mijë e 355, California 90(numri i përgjithshëm 2 mijë e 14), Pannsylvania 187(numri i përgjithshëm 2 mijë e 541, Michigani 119(numri i përgjithshëm 3 mijë e 789, Florida 50 të vdekur gjatë së premtes, Teksasi 33, Louisiana 60, Connecticut 89, Georgia 34, Maryland 62, Ohio 38, Indiana 49, Virginia 30, Minnesota 24 etj.
( Dalip Greca – Gazeta Dielli USA)