Reklame:

“Qendresa Antikomuniste”/ Te Perndjekurit Politik takim perkujtimor ne Shkoder

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Drejtësi dhe Paqe dhe Bashkinë Shkodër organizuan një ceremoni përkujtimi në Shkodër, në qytetin më antikomunist të Shqipërisë, në nder të qëndrestarëve ndaj regjimit komunist. Takimi u zhvillua pranë memorialit që i kushtohet të njëjtës ditë, në nder e respekt të të gjithë shqiptarëve që u persekutuan nga regjimi komunist. Në data 20-21-22 maj për çdo vit përkujtohen “Ditët e Qëndresës“ antikomuniste në Shqipëri. Ky është një aktivitet që synon të përkujtojë qëndresën antikomuniste të popullit e kombit shqiptar gjatë diktaturës. Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë u shpreh se “Kemi zgjedhur datat 20 dhe 21 maj që janë edhe fillimin e dy revoltave antikomuniste nga më të guximshmet të burgosurve politike në burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit që tronditet themelet e reagimit komunist. Kemi zgjedhë Shkodrën së pari se ka një memorial dinjitar kushtuar qëndresës sonë antikomuniste dhe si një nga qytetet e krahinat ku qëndresa ndaj komandimit ishte dhe është më e fortë se kudo në Shqipëri. Nga kryengritja e Malësisë, Postribës deri tek hedhja në erë bustit të Stalinit dhe maskara komuniste e 2 prillit janë me qindra ngjarje mijëra protagoniste martirë të pushkatuar, të burgosur, internuar, vrarë në kufi për shkak të qëndresës ndaj diktaturës më gjakatare në Evropë”- shpjegoi z.Çika.

Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë “ditët e qëndresës i kushtohen të gjithë shqiptareve që i qëndruan diktuarës në mënyra nga më të ndryshmet duke sakrifikuar për ketë veten e familjen. U kushtohet të vrarëve me dhe pa gjyq, të burgosurve politike, të internuarve sidomos atyre të kampeve të shfarosjes në Tepelenë, Kamëz, Krujë etje, të dëbuarve politikë, kulakëve dhe të gjithë të tjerëve që pësuan forma nga më të ndryshme persekutimi. Përkujtojmë me respekt nënat, gratë e vajzat që me sakrificë përballuan të persekutimin duke ndjekur në burgje bijtë e bijat e burgosura, vëllezërit e burrat e tyre ndërkohë që me mundim e nën presion duhet të ushqenin e edukonin fëmijët që jo në pak arrestuar u vdisnin nga vuajtjet e uria të gjitha këto, vetëm e vetëm pse nuk iu përkulën të keqes me të madhe të popullit e kombit tonë, komunizmit. Slogani jonë është: Ne nuk harrojmë. Dhe në këto ditë ne kujtojmë krimet e komunizmit dhe drejtojmë gishtin tek autorët e tyre që jo vetëm nuk u ndëshkua kurrë por edhe janë në pushtet në nivelet më të larta të tij”.

KRIMINELËT E DIKTATURËS ENDE NË PUSHTET

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë lëshoi alarmin për kriminelët komunistë që ende bëjnë drejtësi në 30 vite demokraci. Ai bëri thirrje për hetime dhe pastrime prej komunistëve të sistemit drejtësisë, qeverisë dhe hallkave të tjera të administrimit të pushtetit në Shqipëri. “Në parlament në qeverie, drejtësi, siguri kombëtare e civile etje. Të bindur që nëse nuk do të ketë drejtësi shpirtrat e martireve tanë nuk do të mund të qetësohen por edhe për faktin së autorët e krimeve të komunizmit ende në pushtet mund dhe vazhojnë të kryejnë krime duke përdorur pushtetin shtetëror ne e theksojmë mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit si problemin më të madh historik e aktual të vendit. Demokraci, liria, prona të tjera të drejta themelore të njeriut janë fiktive e të kërcënuara vazhdimisht deri sa autoret e shkeljes së tyre dje dhe sot janë jo vetëm të pa ndëshkuar por edhe në pushtet”- u shpreh Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.


TË DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT

Dënimi i krimeve të komunizmit është shëndërruar në një betejë pa kthim për antikomunistët shqiptarë. Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë: “Fatkeqësisht çdo përpjekje jonë juridike për të dënuar krimet e komunizmit është bllokuar nga drejtësia drejtuesit e së cilës janë në konflikt interesi pasi ata vetë ose prindërit e tyre autorë krimesh të komunizmit. Prokuroria ka bllokuar hetimin disa kallëzimeve penale për krim kundër njerëzimit dhe gjenocid ku mund të përmend Masakrën e Bombës në Ambasadën Sovjetike dhe ndaj ish drejtorit të Burgut të Qafë Barit Edmond Caja. Në këto kushte beteja jonë ka qenë dhe mbetet poetike, mediatike e historike pa asnjë kompromis me komunistët persekutorë. Ne në këto ditë përkujtojmë martirët tanë dhe këmbëngulim që ata të jenë modelet e brezit të ri dhe jo kriminelët e njeriu i ri që u imponon si model shkolla dhe propaganda në Shqipëri. Nderim në jetë të jetëve qëndresës sonë antikomuniste dhe martirëve tanë” – deklaroi z.Çika.

TË MOS HARROJMË TË SHKUARËN

Voltana Ademi, Kryetarja e Bashkisë Shkodër në aktivitetin për “Ditët e qëndresës”, mbajti këtë qëndrim institucional: “Ditët e Qendresës” në Shkodrën simbol të antikomunizmit, simbol të përballjes me diktaturat dhe neodiktaturat. Një vit nga kthimi i një borxhi për të persekutuarit dhe të përndjekurit, një vit nga vendosja e Memorialit kushtuar persekucionit dhe sakrificave të shkodranëve e shqiptarëve në 45 vite diktaturë. Në fund të një viti të vështirë për Shkodrën e Shqipërinë, që sot rrezikohen më shumë se kurrë në këto 30 vite të humbasin atë çfarë kanë arritur me shumë sakrifica e mund: Lirinë dhe Demokracinë. Sot, një ditë simbol dhe si thirrje për bashkim për të mos harruar të shkuarën, që fëmijëve tanë t’u lëmë një Shkodër e Shqipëri jo si ajo që përjetuam ne. Përpjekja e nisur në 1990-ën me etërit, duhet të vazhdojë me largimin e bijve për të zhbllokuar edhe rrugën tonë drejtë Europës së Bashkuar” – përfundoi Ademi. (Gazeta Dielli)