Reklame:

COVID 19/ Rriten rastet e reja ne vend, pjesa derrmuese ne Tirane

Në Shqipëri, rastet e reja me Covid 19, po shënojnë ulje-ngritje të vazhdueshme. Në dy ditët e fundit, është rregjistruar një numër i lartë të infektuarish, të përqëndruar kryesisht në Tiranë.

Sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 21 të prekur, të gjithë në kryeqytet. Më shumë se gjysma e tyre janë personel shëndetësor dhe pacientë të Qendrës spitalore Nënë Tereza, të infektuar nga një infermiere cila rezultoi pozitive, pas kontakteve jashtë spitalit.

Një ditë më parë, nga 25 rastet e reja, 24 ishin po në Tiranë, punonjës në një “Call center”, ndërsa u regjistrua dhe një vdekje, duke e çuar në 33 numrin e viktimave.

Shtimi i të prekurve të rinj është shoqëruar dhe me rritjen e të shtruarve në spital, ku shifrat kishin rënë në kuota minimale. Aktualisht numërohen 25 pacientë nga të cilët 3 në terapi intensive.

Autoritetet po përsërisin në mënyrë të vazhdueshme thirrjet drejtuar qytetarëve për të zbatuar rregullat e distancimit fizik e social, aq më tepër, kur masat shtrënguese tanimë janë thuajse minimale, dhe fillimi i muajit qershor, pritet të shoqërohet me hapjen e kufijve tokësorë si dhe rifillimin e kopshteve dhe çerdheve për fëmijët e vegjël.

Që nga fillimi i epidemisë në Shqipëri janë konfirmuar 1050 raste, nga të cilët aktualisht 205 janë ende aktivë dhe shtrihen në 8 qytete. Tre të katërtat janë vetëm në Tiranë, ndërsa 51 raste në Durrës. Në zonat e tjera të prekurit janë në shifra të ulta.