Në prag të fillimit të turizmit, një lajm i mirë vjen nga agjensia Europiane e mjedisit (EEA). Sipas studimit “Qershor 2020” të botuar së fundmi prej saj, rreth 84.6% e ujrave notuese europiane përfshirë këtu edhe Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën dhe Shqipërinë gëzojnë cilësi “të shkëlqyer” të ujit. Në lidhje me Shqipërinë, më shumë se gjysma (58,8%) e ujrave notuese marrin notën “shkëlqyeshëm”, 21,8% “mirë”, 4,2% “mjaftueshëm” si dhe 5,9% “të varfër”. Krahasuar me vendet e tjera të Europës, Shqipëria rënditet e dyta mbas Polonisë me sasinë më të vogël të ujrave me cilësi të “shkëlqyer”. Ujrat më të pastra sipas këtij raporti i ka Qipro me 99,1% cilësi “të shkëlqyer”.
Në vijim të këtij raporti, rreth 80% e ujrave detarë në vendin tonë klasifikohen me cilësi “të shkëlqyer” (59,3%) dhe “te mirë” (20,4%). Pjesa tjetër klasifikohen si “mjaftueshëm” (4.4%) dhe “të varfër” (6,2%). Për vitin 2019 janë analizuar 113 kampione ujrash detare, numër më i madh ky se vitet e kaluara. Përsa i përket ujrave të liqeneve dhe lumenjëve, janë monitoruar 6 kampionë, po aq sa dhe vitin e kaluar. Në ndryshim nga ujrat detarë, ujrat e liqeneve dhe lumenjëve të analizuar kategorizohen në 50% me cilësi “të shkëlqyer” dhe 50% me cilësi “të mirë”. Raporti bazohet në monitorimet e kryera nga vendet përkatëse bazuar në direktivat e udhëzimeve europiane. Analizat kryhen mbi dy parametra mikrobiologjikë:
Intestinal enterococci dhe Escherichia coli. Në rastin kur ujrat klasifikohen si “të varfra”, vendet përkatëse duhet të marrin masa dhe t’i bëjnë të ditura për publikun.
Duke parë hartën e publikuar në këtë raport, zonat me ujra më të ndotura ndodhen në bregdetin e Durrësit, në pjesën e Plazhit të Ri në Vlorë si dhe në zonën e bregdetit të qytetit të Sarandës.
Në përgjithësi ky raport ka një impakt të madh sidmos për turizmin, pasi vëmendja që tërheq në mediat ndëkombëtare është e madhe. Ndër të tjera edhe “New York Times” dhe Associated Press e citojnë këtë raport. Fatkeqësisht, emri i vendit tonë përmendet bashkë me gjashtë vende të tjera Europiane për 3% të ujrave me kualitet “të varfër”.
https://discomap.eea.europa.eu/Bathingwater/?fbclid=IwAR12SdCYBFMUtaPLnJCoV_WR8LlPIDVB1bBkIOeMT4jcve3kfoG1qjc8lYU