Aplikimet e fermerëve për të përfituar mbështetje nga Skema Kombëtare mbyllen këtë të premte (19 qershor). Të hapura nga data 29 maj fermerët kanë pasur mundësi që të bëjnë aplikimet përmes portalit e-albania duke eliminuar kështu pjesën e kontaktit nëpër zyra.
Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë në të gjithë vendin. Skema Kombëtare mbështet të paktën shtatë masa nga blegtoria tek bletaria apo agroturizmi.
Aplikimi online përmes e -albania
Shërbimi elektronik “Aplikim për Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët” iu mundëson fermerëve të aplikojnë online për fondet e Skemës Mbështetëse Kombëtare, si një mënyrë për të përfituar mbështetje financiare.
Procesi online i aplikimit të fermerëve nga portali e-Albania për përfitim nga skemat mbështetëse me 0 dokumente, realizohet mbi bazën e vetëdeklarimit nga ana e aplikantit për të dhënat e kërkuara nga “Formulari i aplikimit”, si dhe të dhëna që identifikojnë fermerin (në bazë NIPT) që plotësohen automatikisht me ndërveprim nga regjistrat elektronikë në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.
Aplikimi për skemat mbështetëse do te bëhet on-line për masat si më poshte:
- Për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 (shtatëdhjetë) krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 (treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë për subjekt, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë, në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt.
- Mbarështim i bletarisë me 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.
- Zëvendësimi i plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive 300 000 (treqind mijë) lekë/ha dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt. Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
- Mbjellje bimësh mjekësore e aromatike në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim “SHBB”), jo më shumë se 4 000 000 (katër milionë) lekë. Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha, për grup fermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 (pesë) ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha, kur nuk është në bllok.
- Fermat organike, për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë, 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar.
- Implementimi dhe certifikimi Global GAP në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha.
- Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim.